“Uashington DC” e shpall datë zyrtare 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës! Muriel Bowser e njofton, Ambasada e konfirmon
Ambasada e Kosovës në SHBA ka njoftuar se tashmë kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, ka vendosur që ta shpallë 17 shkurtin, ditën e pavarësisë së Kosovës, si datë zyrtare në Uashington DC.
Në vendimin e saj, Bowser thotë se kjo është si rezultat i përparimit të madh që Kosova ka shënuar për mbrojtjen e ligjit, të drejtave të njeriut e forcimit të saj ndërkombëtar që nga viti 2008.
“Duke pasur parasysh se ne i bashkohemi komunitetit shqiptar dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në përkujtimin e 18-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës; unë kryetarja e Bashkisë Uashington DC, shpall 17 shkurtin 2026 si ‘DITA E PAVARËSISË SË KOSOVËS’ në Uashington, DC”, thekson ajo mes të tjerash.
Ambasada e Kosovës e ka falënderuar Bowser përmes një reagimi në ‘X’.
‘Faleminderit kryetarja Bowser që njohët zyrtarisht 17 shkurtin si Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Uashington, D.C.’, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Njoftimi i plotë:
“Duke pasur parasysh se, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës ka shënuar përparim të madh në promovimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare;
dhe duke pasur parasysh se lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është unike dhe e qëndrueshme, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike, partneritet afatgjatë dhe respekt të thellë të ndërsjellë;
dhe duke pasur parasysh se qytetarët shqiptaro-amerikanë japin kontribute të rëndësishme në pasurimin kulturor dhe qytetar të Uashingtonit, DC;
dhe duke pasur parasysh se ne i bashkohemi komunitetit shqiptar dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në përkujtimin e 18-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës;
TANI, PRANDAJ, UNË, KRYETARJA E BASHKISË SË WASHINGTON, DC, shpall 17 shkurtin 2026 si ‘DITA E PAVARËSISË SË KOSOVËS’ në Uashington, DC.
Muriel Bowser”.
Thank you @MayorBowser for officially recognizing February 17 as Kosova’s Independence Day in Washington, D.C. 🇽🇰🇺🇸 pic.twitter.com/EfsWGwTDn4
— Embassy of Kosovo US (@KosovoinUS) February 14, 2026









