Tronditet Reali, rrëfimi i ekspertes që u shkarkua me bujë: Lojtarët janë viktima, presidenti Perez erdhi dhe më…

Tronditet Reali, rrëfimi i ekspertes që u shkarkua me bujë: Lojtarët janë viktima, presidenti Perez erdhi dhe më…

Dec 19, 2025 | 10:25






























Itziar Gonzalez ka tronditur ambientin e Real Madrid, pasi është kthyer të flasë për herë të parë pas shkarkimit. Nutricionistja  e njohur tregoi për gazetën “Marca”, gjithë makthin që kishte përjetuar. Rrëfimi i saj është mjaft i gjatë, ndërsa tregon çfarë ka ndodhur nga fillimi.

Screenshot 2025-12-19 102220

Si dhe pse Itziar arriti te Real Madrid?

“Nga sa di unë, është presidenti ai që u kërkon Shërbimeve Mjekësore që unë të shkoj atje në sezonin 2021-22. Pas përvojave të këqija me shërbimet mjekësore të ekipeve të tjera, u them jo, por ata këmbëngulin dhe shkoj sepse më thonë se e kërkon presidenti. Atë sezon, Karvahal dhe Rodrigo janë të vetmit që duan të punojnë me mua. Ka ndonjë lojtar tjetër që më thotë se do të donte të fillonte të punonte me mua, por mjekët u thonë që “as t’u shkojë ndër mend”. Pas përfundimit të kampionatit nuk di asgjë nga Real Madridi deri në nëntor 2023, kur më thërrasin sërish për të punuar me Karvahal dhe Gyler gjatë gjithë sezonit 23-24. Mjekët u thonë që të mos e bëjnë dhe më thonë se puna ime nuk vlen për asgjë.

Në tetor 2024 më kërkon sërish ndihmë Dani Karvaha kur dëmtohet. Më pas më telefonon një fizioterapist në emër të presidentit që të bashkohem me të gjithë ekipin. Them se nuk mund të jem atje me kohë të plotë dhe as nuk dua, sepse nuk e respektojnë punën time. Arrijmë një marrëveshje që të punoj atje gjysmën e javës dhe nga shtëpia gjysmën tjetër. Pranoj sepse më thonë se është një kërkesë personale e presidentit dhe se ai do të bëjë që mjekët të më lejojnë të punoj dhe të më respektojnë, dhe se, nëse tregoj punën time, shumë njerëz me dëmtime kronike mund të kenë shpresë. Duhet të them se e admiroj jashtëzakonisht figurën e Florentino Perez, kam një respekt shumë të madh dhe shumë dashuri për të, dhe shkoj me qëllimin e vetëm të përkushtohem maksimalisht për ta bërë mirë punën time dhe që Florentino të mund të ndihet krenar për mua”, u shpreh fillimisht nutricionistja.

Si ju pritën?

Shërbimet Mjekësore krijojnë një ambient armiqësor që nga minuta e parë. Ditën e parë më thonë se jam atje për një kapriço të presidentit, por se ata dinë ta menaxhojnë dhe se ai bën gjithçka që ata duan, dhe se do ta manipulojnë për ta bindur se jam e çmendur dhe që të më largojë. Nuk më prezantojnë, nuk më përshëndesin, nuk flasin me mua. Nuk mblidhen kurrë me mua, pavarësisht se ua kërkoj vazhdimisht; nuk më përgjigjen email-eve dhe as mesazheve.

Më flasin vetëm ndonjëherë kur kryqëzohemi në korridore për të më thënë se e bëj gjithçka keq dhe se presidenti thotë të mos flas me askënd, të mos dal nga një ambient i errët që më caktojnë, të mos flas me lojtarët, të mos bëj asgjë, se njerëzit nuk më duan aty, se lojtarëve(që as nuk e dinë se jam aty) u shkaktoj neveri. Javën e parë më akuzojnë se kam vjedhur një sasi të tërë suplementesh dhe arrij të provoj se nuk kam qenë unë, por më kap frika dhe, që nga ai moment, komunikoj gjithmonë me shkrim që të mos ndodhë më.

Si ishte puna juaj, në çfarë konsistonte?

Mjekët dhe një fizioterapist më jepnin vazhdimisht urdhra(në korridor) në emër të presidentit. Në thelb, që të fshihem dhe të mos bëj asgjë, por më pas vjen vetë presidenti dhe më thotë çfarë dëshiron që të bëj, gjë që është krejtësisht ndryshe nga urdhrat që më jepeshin gjoja “në emër të presidentit”. Kështu që bëj saktësisht atë që më kërkon presidenti: dëshiron që të zbatoj metodën time atje dhe të jem përgjegjëse për të vendosur si bufetë e rezidencës, ashtu edhe dietën në udhëtime dhe hotele, suplementet e ekipit, dhe dëshiron që t’u bëj dietë të personalizuar të gjithë lojtarëve që duan, dhe që kjo të mund të zbatohet edhe për ekipet e tjera.

Është një punë shumë e madhe, sidomos sepse shumica e lojtarëve duan ta provojnë dhe unë u përgatis një dietë ditore secilit. Më merr rreth një orë për çdo lojtar. Llogarit vetë. Por e filloj me entuziazëm sepse ma ka kërkuar ai dhe e di që mund t’i ndihmoj djemtë.

Çfarë ndodhi?

Më vendosin të gjitha llojet e pengesave për ta kryer punën: në bufetë vendosen ushqimet që unë i dekurajoj. Kamarierja tallet me mua dhe u thotë vazhdimisht lojtarëve të mos më bëjnë rast, se nuk kam asnjë ide, kuzhinieri nuk përgatit atë që i kërkoj dhe vendos atë që i duket atij, si për shembull ëmbëlsira para ndeshjes, menaxheri nuk blen atë që këshilloj, djali që duhet të përgatisë suplementet vendos suplemente të ndryshme nga ato që unë them. mjekët dhe fizioterapistët u thonë lojtarëve të mos ndjekin udhëzimet e mia, nuk më japin informacion për gjendjen e lojtarëve dhe as për atë që u japin(ilaçe, vitamina, etj.), pavarësisht se këmbëngul për të shmangur ndërveprime me suplementet, pasi kjo mund të ishte e dëmshme për ta. Qeshin vazhdimisht me mua, më përqeshin në grupet e ËhatsApp-it, u thonë lojtarëve të marrin gjëra të ndryshme nga ato që them unë.

Pse dhe kur përkeqësohen gjërat?

Ka lojtarë që përmirësohen dukshëm dhe e komentojnë këtë në dhomat e zhveshjes. Njëri pushon së pasuri dhimbjen që e kishte prej muajsh, një tjetër pushon së pasuri ngërçe që i kishte gjithmonë; një tjetër thotë se nuk lodhet kurrë, një tjetër se është më i shkathët dhe më i shpejtë. Dhe, mbi të gjitha, disa komentojnë se nuk lodhen dhe se mund të vazhdonin të luanin pas 90 minutave pa asnjë problem.

Ka dy prej këtyre lojtarëve që më tregojnë se ia thonë këtë drejtpërdrejt presidentit. Fakti që lojtarët e thonë këtë dhe e lidhin me udhëzimet që kanë ndryshuar në ushqyerje dhe suplemente, gjeneron një urrejtje të padurueshme nga Shërbimet Mjekësore dhe stafi i bufesë ndaj meje, dhe 13 ditë pas nënshkrimit të kontratës, kërkoj ta ndërpres dhe të mos kthehem më. Por nga Drejtoria më thonë se lojtarët dhe presidenti duan që unë të jem aty dhe të duroj, se ata do ta zgjidhin gjithçka.

Si është marrëdhënia juaj me lojtarët?

Janë të mrekullueshëm. Nuk mund të flisja shumë me ta sepse Shërbimet Mjekësore më vinin gjithçka lloj pengesash, dhe janë vetë lojtarët ata që kërkojnë që unë të udhëtoj për të mundur të flasin me mua për shkak të pamundësisë për ta bërë këtë në Valdebebas. Në përgjithësi, më duken djem shumë të mirë, të respektueshëm me mua dhe me punën time, kureshtarë dhe me dëshirë për të mësuar dhe për të kuptuar arsyen e gjërave. E shohin se çfarë po më bëhet dhe përpiqen të më bëjnë të ndihem më mirë.

Kam arritur t’i dua shumë dhe, të them të drejtën, më vjen shumë keq për ta, sepse ata janë viktima në një burg të artë dhe nuk mund të bëjnë asgjë. Pavarësisht se kishin Shërbimet Mjekësore çdo ditë duke u thënë të mos ndiqnin udhëzimet e mia, shumica përpiqej ta bënte, gjë që më trishtonte jashtëzakonisht, sepse nuk donin t’i zemëronin mjekët dhe donin të ndiqnin udhëzimet e mia, kështu që shumë prej tyre merrnin si atë që thoshin ata, ashtu edhe atë që thosha unë. Unë u thosha se kjo ishte e keqe dhe se nuk kishte problem nëse donin të merrnin atë që u thoshin mjekët; unë më mirë nuk u jepja asgjë, por ata donin të ndiqnin udhëzimet e mia. Një tmerr.

Çfarë ju thonë kundër mënyrës suaj të punës?

Në përgjithësi, ata ndiheshin të përkujdesur dhe kjo u pëlqente. Kalojnë nga të mos pasurit asnjë kujdes ushqimor dhe as suplemente, në të pasurit një plan të personalizuar çdo ditë. Më tregonin, kur mund të më shihnin, se si ndiheshin dhe unë përpiqesha t’i kujdesja. Ndihesha pak si “nënë”, sepse më tregonin që u dhembte barku, ose që kishin fjetur pak, ose që kishin pak temperaturë… Unë përpiqesha gjithmonë t’i ndihmoja dhe ata ma shprehnin mirënjohjen me gjeste ose detaje shumë, shumë të bukura, që është e vetmja gjë pozitive që më mbetet nga kjo përvojë e tmerrshme.

Çfarë ndodh midis ndeshjes kundër Atalantës, 10 dhjetor 2024, dhe asaj kundër Gironës, 23 shkurt 2025?

Ndeshja kundër Atalantës është e para në të cilën fillojnë të përdoren suplementet dhe dieta që rekomandoj, pak a shumë. Mund të jetë për këtë arsye ose mund të jetë rastësi, por ata ndihen shumë mirë fizikisht, dhe disa lojtarë që nuk i ndiqnin këto udhëzime duan të fillojnë t’i ndjekin, ndërsa ata që i ndiqnin duan të vazhdojnë.

Në përgjithësi, ka komente shumë pozitive në dhomat e zhveshjes dhe Shërbimet Mjekësore nuk e durojnë dot këtë. Mjeku dhe kamarierja e bufesë më akuzojnë për një fakt të rremë përpara Drejtorisë; kam alibi dhe provoj se është një akuzë e rreme. Pas kësaj, më bëjnë sërish një tjetër akuzë të rreme, të cilën përsëri provoj se është gënjeshtër. Përballë kësaj situate armiqësore, Drejtoria më dërgon në shtëpi dhe nuk më lejojnë të udhëtoj për ndeshjen kundër Espanjolit.

Dhe nga ajo ndeshje e tutje…

Në atë ndeshje nuk u jepen suplementet lojtarëve. Kthehem në Valdebebas dhe vazhdoj punën time si mundem, duke e ditur gjithçka që po bëjnë. Kam frikë, ankth, nuk mund të fle, qaj gjithë kohën, kërkoj ndihmë nga Drejtoria dhe më thonë të duroj, se duan që të vazhdoj të bëj punën time. Në ndeshjen kundër Gironës shoh presidentin dhe ai vjen shumë i zemëruar për disa gënjeshtra që i kanë treguar për mua. Për mua gjithçka mbaron aty. Gjithçka që kam vuajtur për t’i ndihmuar djemtë dhe që ai të ishte krenar për mua, dhe ai u beson gënjeshtrave që i thonë. Kërkoj sërish të largohem dhe nuk më lënë, dhe më thonë se do t’i tregojnë presidentit të vërtetën. Kjo është e vetmja gjë që dua.

Dhe pas kësaj?

Më ndalojnë të kem kontakt me lojtarët, nuk më lejojnë të shkoj në ndeshje. Nuk vendosen suplementet e mia në ndeshjen kundër Betisit. Në atë periudhë më lejojnë të punoj në ndeshjet kundër Atletiko Madridit dhe Real Sociedadit, por fshehurazi. Më thërrasin në një takim me një sponsor dhe ai më thotë se është mik i mjekëve, se ata tashmë kanë arritur që presidenti të më largojë, por se do të përpiqen të më poshtërojnë për kohën që më ka mbetur.

Nga Drejtoria më ndalohet hyrja në Valdebebas, sipas tyre, për sigurinë time fizike; më thonë se do të nisin një hetim të brendshëm dhe që të mos shqetësohem, të jem e qetë, se do t’i largojnë të gjithë sepse ajo që kanë bërë është e patolerueshme. Kërkoj sërish të largohem dhe më thonë jo. Dhe më thonë që të vazhdoj punën time nga shtëpia. U them se nuk mund të shpik udhëzime pa ditur asgjë për gjendjen e lojtarëve, se kjo është praktikë e keqe profesionale, dhe më thonë se e kam detyrim ta bëj.

Punoj me shumë frikë, pa pushim dhe shumë e frustruar, sepse ndiej se ajo që bëj nuk vlen për asgjë, por vazhdoj ta bëj çdo ditë pa pushim deri më 4 gusht. Këto udhëzime që dërgoj çdo ditë, për më tepër, e di se nuk zbatohen nga Shërbimet Mjekësore dhe se lojtarëve u japin gjëra të tjera të ndryshme nga ato që propozoj unë.

Kur dhe kush ju thotë se do t’ju pushojnë nga puna?

Më telefonon drejtori i Burimeve Njerëzore për të më falënderuar për punën dhe për të më thënë se Shërbimi i Ushqyerjes anulohet. Më thonë se kam bërë një punë të jashtëzakonshme, se i kam bërë të gjitha siç duhet dhe më paguajnë gjithë kontratën që më kishte mbetur. U them se unë dua vetëm që presidenti dhe lojtarët ta dinë të vërtetën, dhe se kërkoj që të përgënjeshtrohen të gjitha gënjeshtrat që janë thënë për mua brenda klubit, dhe, në mënyrë shumë të sjellshme, më thotë se kjo nuk do të jetë e mundur.

Çfarë ndodh që nga ajo kohë?

Paraqes një padi pavarësisht se më “këshillojnë” të mos e bëj dhe më thonë se nuk kam asnjë mundësi për të fituar dhe, për më tepër, do të ma shkatërrojnë jetën. U them se nuk bëhet fjalë për të fituar apo humbur, thjesht dua që presidenti, lojtarët dhe njerëzit që më duan ta dinë të vërtetën.

Pse flet tani dhe jo më parë?

Sepse të gjithë, njerëz nga brenda, njerëz që nuk kishin asnjë ide, familjarë, miq, të njohur, gazetarë, më thonin se Real Madridi ka shumë pushtet dhe se do të nxirrnin informacion të shtrembëruar kundër meje, dhe se do të më dëmtonin dhe emrin dhe reputacionin tim. Por ende kam makthe çdo natë. Dua ta mbyll këtë kapitull përgjithmonë dhe ndiej se derisa ta tregoj, nuk do të mund ta mbyll.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al



Te lidhura














 












Source link

Scroll to Top