Maks Vershtapen bëri gjithçka që mundi, duke fituar Çmimin e Madh të Abu Dabit nga “pole position” në finalen e sezonit, por Norris kishte nevojë vetëm për një vend të tretë për t’i ndalur holandezit një nga përmbysjet më spektakolare në historinë e F1.

I ndodhur 104 pikë larg kreut pas Çmimit të Madh të Holandës, Vershtapen e mbylli kampionatin në vend të dytë, vetëm 2 pikë larg kampionit Lando Norris.
“Jam duke u ndier vërtet mirë, sepse bëmë gjithçka që mundëm për të qenë në luftë. A është zhgënjyese të humbasësh për dy pikë? Patjetër. Por gjysma e parë e sezonit ishte shumë e paqëndrueshme. Gjatë gjysmës së dytë ishim shumë më të fortë, edhe pse patëm pak fat dhe bëmë disa gabime.
Nuk ka rëndësi nëse humbet me 1 pikë apo me 50. Kur e kthej kokën mbrapa, jam shumë i kënaqur. Prandaj nuk jam shumë i dëshpëruar për titullin”, u shpreh holandezi i Red Bullit, i cili dha edhe disa këshilla për Norrisin: “Duhet ta shijosh këtë moment. Nuk e di kurrë sa shpesh mund të përsëritet. Shpresoj të festojë fort sonte”.
PANORAMASPORT.AL








