TIRANË- Molotovë, fishekzjarre, tensione dhe përplasje shënuan protestën e opozitës mbrëmjen e së dielës, 22 mars, në Tiranë, e cila zgjati për më shumë se 3 orë.
Protesta e Partisë Demokratike nisi rreth orës 18:00, ku mbështetësit u mblodhën fiillimisht para Kryeministrisë, aty ku u zhvillua tubimi kryesor. Tubimi pa fjalime, shumë shpejt përshkallëzoi, pasi u hodhën mjete piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Forcat e policisë ndërhynë për të vënë situatën nën kontroll, me makinat e ujit dhe gaz lostsjellës.
Por, ndërsa sheshi pranë godinës u zbraz, marshimi nisi nëpër rrugët e kryeqyeteti, duke ndaluar në disa prej institucioneve. Pas Kryeministrisë, u sulmua me molotovë ministria e Brendshme, e Infrastrukturës dhe selia e PS, ndërsa u dogj edhe një makinë policie.
Kryedemokrati Sali Berisha u lëndua nga një spray në sy, ndërsa pati edhe probleme me frymëmarrjen. Kreu i PD u largua në drejtim të banesës së tij, dhe u rikthye sërish me maskë kundër gazit lotsjellës.
Incidentet nuk munguan. Deputeti Xhelal Mziu u përplas me efektivët e policisë. Atij iu bashku edhe Flamur Noka, i cili iu drejtua policëve: “Keni marrë urdhër të sulmoni liderin e opozitës! Do ta paguani shtrenjtë”. Gjithashtu, nuk munguan momentet e tensionit, me shtyrje dhe tentativa për të çarë kordonin e sigurisë.
Të lënduar nga kjo protestë kanë mbetur edhe 6 efektivë të policisë, të dërguar në spital. Ndërsa 23 protestues u shoqëruan në polici.
Protesta është mbyllur në selinë e Partisë Demokratike, aty ku lideri demokrat Berisha mbajti edhe një fjalim, ku tha se “protesta e radhës do të jetë edhe më e shkëlqyer”. Berisha falenderoi qytetarët dhe paralajmëroi se nuk do të ketë qetësi për Edi Ramën, duke u shprehur se kryengritja do vazhdojë deri në doreheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike. Megjthatë, këtë herë nuk dha një datë për protestën e radhës./ZËRI



