TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike zhvilloi sot interpelancë me Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, lidhur me situatën në Policinë e Shtetit dhe shqetësimet për korrupsionin. Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat Klevis Balliu hodhi akuza se drejtori i Policisë së Shtetit Skëndër Hita u zgjodh nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
“Zar i radhës i Ballukut. Që tre ditë më parë e dinim që Skënder Hita do emërohej, sot vetëm u zyrtarizua krim i radhës. Në dosjen e Ballukut thuhet se ka pasur kërcënime me jetë ndaj dëshmitarëve nga eksponentë të krimit. Në dosjen e kësaj zonje, që sot emëron drejtorin e policisë, merr në dorë të gjithë Ministrinë e Brendshme. Se siç ka thënë Rama, ministrat e brendshëm do merren me adresat. Në qoftë se nuk e kuptove, e thash që atë që ti mësove sot unë e mësova para 3 ditësh, sepse ti je mbajtës karrigesh jo ministër. Ti nuk di nga lidhet gomari. Ti nuk flet dot, se ti kërcen, fle, ha dhe ikën kur të thonë. Ti duhet të rrish të mbyllësh gojën dhe të dëgjosh”, tha Balliu.
Ndërsa, ministri i Brendshëm Lamallari u shpreh se Hita është zgjedhur sot si Drejtor Madhor dhe procesi u ndoq nga ndërkombëtarët. Lamallari tha se bashkëpunon prej 9 vitesh me Skënder Hita, dhe vlerëson integritetin dhe kontributin e tij në disa qarqe të vendit. Ndërsa më tej shtoi se Policia e Shtetit politizohet dhe sipas tij çfarëdo që të bëjnë do të kenë mallkimin e pashmangshëm të një opozite që vetëm hedh baltë mbi çdokënd.
“Duke qenë se nuk i shpëtuam edhe kësaj radhe akuzave për Policinë e Shtetit, edhe pse vetëm sot është miratuar vendimi i qeverisë për caktimin në detyrë të Drejtorit Madhor Skënder Hita, për fatin e keq të drejtuesit të ri i cili duhet të marrë parasysh që në përshkrimin e detyrës së tij do të ketë akuza dhe bazë të opozitës. Në fakt policisë duhet dhënë besim dhe përkushtim dhe le ta besojmë me punë që ai i shërben shtetit shqiptar, qytetarëve dhe integrimit të vendit. Hita është oficer karriere, unë kam pasur rastin që të bashkëpunoj prej 9 vitesh me të tashmë, që kur unë pata nderin që t’i bashkohem Ministrinë së Brendshme rreth 9 vite më parë. Ka qenë drejtues në disa qarqe më parë, ku ka spikatur për profesionalizmin, integritetin, për përkushtimin ndaj uniformës dhe organizatës. Jam shumë i lumtur që nga konkursi, ka spikatur roli i tij dhe kontributi i tij për disa vite në Policinë e Shtetit. Besoj që Hita, paraardhësit dhe ata që do të vijnë më pas janë mësuar që gjithçka bëhet politike, por për fat të keq, edhe Policia e Shtetit politizohet dhe çfarëdo që të bëjnë do të kenë mallkimin e pashmangshëm të një opozite që vetëm hedh baltë mbi çdokënd, institucionalizon dhunën duke e bërë instrument politik. Deputeti në fjalë që kur u thirr bukurosh nuk i ndahet më këtij muhabeti”, u përgjigj Lamallari./ZËRI



