Kilian Mbape ka qenë padyshim i lumtur që ndihmoi skuadrën e Real Madrid të kthehej te fitoret, aq më tepër në Ligën e Kampioneve dhe aq më tepër në një vend që ishte kthyer në tabu.
Në fakt, ajo ndaj Olimpiakos ishte fitorja e parë e Realit në tokë greke në kompeticionet europiane dhe Mbape iu desh që të shënonte 4 herë për të siguruar një sukses të vështirë 4-3.
“Është shumë e rëndësishme që fituam përsëri. Tre ndeshje pa ia arritur është shumë për ne. Qëllimi ynë është të përfundojmë në 8 vendet e para të Ligës së Kampionëve. Ishte një ndeshje e komplikuar. E dimë që është e vështirë të fitosh këtu.
E kontrolluam ndeshjen. Patëm shumë raste. Duhet të përqendrohemi te pozitivet dhe të përmirësojmë negativet.
Katër golat? Shumë mirë. Shumë i lumtur. Shënimi i golave është gjithmonë një kënaqësi për mua. Shokët e mi të ekipit më japin pasime me shumë cilësi.
E shoh ekipin mirë, ka gjëra për të përmirësuar, njerëzit jashtë flasin, kur luan te Real Madridi, e di që është normale që njerëzit të flasin. Por ne duhet të mbrojmë veten, lojtarët, trajneri dhe të gjithë stafin. Jemi të gjithë së bashku. Nuk jemi kundër atyre jashtë klubit, por jemi të bashkuar me tifozët e Madridit, të cilët e dimë se na mbështetin. Duhet të jemi krenarë dhe të japim gjithçka për stemën. Do të luajmë për shumë gjëra në këtë sezon”, ishin fjalët e Mbape.
PANORAMASPORT.AL









