TIRANË-Sot do të mblidhet Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale. Por 2 shkurti shënon edhe fundin e afatit që Partia Socialiste i ka lënë asaj Demokratike, pasi opozita ndodhet në bojlot prej disa javësh. Mungesa e PD do të sjellë prishjen e konsensusit dhe PS do të marrë shumicën e anëtarëve dhe drejtimin e komisionit, duke e lënë pa të drejtë vote opozitën.
Konkretisht nëse PD nuk shkon në Komision, socialistët do të prishin marrëveshjen e arritur në nisje të legjislaturës. Në kërkesë, socialistët theksojnë se që prej krijimit të Komisionit në datën 27.10.2025, nga 4 mbledhje të njoftuara rregullisht vetëm një mbledhje është zhvilluar me përbërje të plotë të opozitës. Nga ana tjetër, opozita ka refuzuar të ulet në Komision, me pretendimin se Partia Socialiste po pengon drejtësinë për çështjen “Balluku”.
Po ditën e sotme, grupi parlamentar i PD do të mblidhet në seli për të diskutuar qëndrimin që do të mbajë në seancën plenare të së martës, ku në rend dite janë edhe ndryshimet e përbërjes së Komisionit për Reformën Territoriale. Ndodhur në këto kushte Reforma Territoriale pritet të jetë një bomerang i vitit 2014, ku miratimi ishte i njëanshëm pa praninë e opozitës.
Çfarë ndodhi 12 vite më parë?
Më 23 janar 2014, me propozim të Konferencës së Kryetarëve, Kuvendi miratoi ngritjen e Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale. Vendimi parashikonte përbërje të barabartë mazhorancë-opozitë: 6 anëtarë nga PS, 2 nga LSI, 6 nga PD, 1 nga PR dhe 1 nga PDIU. Gjithashtu, vendimi parashikonte bashkëkryesimin e Komisionit nga PS dhe PD, dhe vendim-marrje mbi bazë konsensusi. Pika 10 e Vendimit parashikonte se vendimet e Komisionit do të quheshin të vlefshme nëse për to do të votonte shumica e të gjithë anëtarëve të tij, që nënkuptonte që nuk mund të kishte vendim-marrje pa minimumin e një vote mbështetëse nga anëtarët e opozitës në Komision.
Asakohe Partia Demokratike kërkoi që opozitës t’i garantohej e drejta e vetos përgjatë gjithë procesit, duke arsyetuar se konsensusi i garantuar në Komision mund të prishej në seancë plenare. Mazhoranca u shpreh disa herë se ishte dakord me kërkesën për veto, dhe se e kishte garantuar këtë – duke patur parasysh procedurën për vendim-marrje të Komisionit (pikën 10 të Vendimit). Si prova të vullnetit të mazhorancës për konsensus, opozita kërkoi tërheqjen e aktit normativ për nëpunësin civil, grupit të kontrollit për ILDKP-në, dhe përpjekjeve për të ndryshuar kryetaren e AMA.
Më 24 prill 2014, pasi opozita nuk mori pjesë në Komision për 3 muaj duke bllokuar kështu veprimtarinë e tij, Kuvendi mori një vendim tjetër ku rriti peshën e mazhorancës në Komision me një anëtar, dhe shtyu afatin e funksionimit të tij deri në qershor 2014. Katër ditë më vonë, Komisioni i Posaçëm Parlamentar miratoi kriteret për reformën.
Mungesa e opozitës çoi në heqjen e një pjesë të madhe të bashkive. Më 17 korrik 2014, Komisioni miratoi edhe hartën e re me 61 bashki, që më pas u miratua me 88 vota në seancë plenare, më 31 korrik, 2014.
Mbetet për tu parë nëse opozita do bëjë hapa pas në afatin e fundit apo do ti qëndrojë linjë së paralajmëruar nga Sali Berisha, i cili ka theksuar se deputetët demokratë nuk do të shkojnë në mbledhje, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me mazhorancën, për asnjë çështje.




