TIRANË- Sekretariati i Etikës ka nisur mbledhjen ku do të shqyrtojë kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës, pas incidenteve që u regjistruan në seancën plenare të 18 dhjetorit, ku ligjvënësit demokratë tentuan që të zaptonin karriget e ministrave.
Ndërkohë që po tregohej videoja nga seanca kur u ndezën flakadanë dhe Gazment Bardhi e Saimir Korreshi janë përpjekur të thonë se deputetja Albana Vokshi nuk ka ndezur flakadanë, kjo e fundit ka deklaruar se i ka ndezur, dhe do të vijojë të bëjë një gjë të tillë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
Momentet e debateve janë transmetuar në faqen e Faceboook-ut të deputetes Albana Vokshi, pasi PS ka kërkuar që mbledhje të mbahet me dyer të mbyllura.
DEKLARATAT
Vokshi: Unë e kam ndezur dhe e ndez 100 herë derisa të ikë Edi Rama. Po po unë jam aty. Sillni këtu Niko Peleshin të më tregojë pse kishte sjellë Gardën. Nuk jemi këtu si në gjyq në kohën e sigurimit të Shtetit. Kemi kërkuar mbledhje me praninë e mediave. Të erdhi mesazhi nga Rama Ulsi? Çfarë të tha të bësh?
Gazment Bardhi: Na keni quajtur grup te strukturuar kriminal. Por ne fakt grup i strukturuar jeni ju. Po perjashtoni opoziten pa asnje arsye. Ju na thoni qe deputet duhet te sillen si deputet, por harronj qe anetaret e qeveris tuaj sillen si bandit.
Pas debateve, Ulsi Manja, dhe deputetët socialistë kanë dalë nga salla, ndërsa nuk dihet ende nëse do të ketë një vendimmarrje për përjashtimin e tyre gjatë ditës së sotme.
Partia Socialiste ka kërkuar përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare:
-60 ditë për: Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata. E njëjta masë është kërkuar edhe për deputetët Flamur Noka dhe Klevis Balliu.
-30 ditë ndaj deputetes Elda Hoti, si dhe për Gazmend Bardhin dhe Sali Berishën.
-10 ditë ndaj deputetëve Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi. E njëjta masë edhe për: Edi Paloka, Ina Zhupa, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha dhe Kliti Hoti.




