TIRANË- Një takim jozyrtar i ndërmarrë ditën e djeshme nga një grup eksponentësh në Partinë Demokratike ka trazuar ujërat brenda kësaj force politike. Takimi i organizuar nga Ervin Salianji, i cili nuk e ka fshehur ambicien për të qenë në krye të PD, është tentuar që të sfumohet nga kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi. Ky i fundit, i ftuar në Opinion, u shpreh se takimi nuk tregon domosdoshmërisht një lëvizje të re brenda PD, dhe nëse një gjë e tillë do të ndodhte, vetë Salianji do ta pranonte një gjë të tillë publikisht, duke ia njohur kurajon e tij politike.
“Unë besoj që kemi ardhur për bisedë serioze, jo për të komentuar kafet që kolegët janë në lirshmërinë e tyre për të pirë”, u shpreh fillimisht Bardhi.
“Unë dua ta shoh si kontribut se si ta bëjmë PD-në më të mirë. Në momentin që transmetohet kështu si lëvizje e re e PD-së apo si riformatim, kështu hapën edicionet mediat ndërkohë që çështja për Ballukun u shty. Nëse ka një gjë për të thënë, del e thotë! Nëse ka një lëvizje të re, Salianji të jeni të sigurt do vinte në studio për ta shpallur”, vijoi Bardhi.
Ndërkohë që vetë Salianji, në një reagim për Blendi Fevziun, la të kuptohet se Partia Demokratike ka nevojë për një analizim të situatës në të cilën ndodhet sot. Salianji u shprej në mesazh se duhet të jetë vota dhe mbështetja e qytetarëve ajo që përcakton hirearkinë në PD dhe jo mekanizmat hileqare.
“Nuk besoj se ta sqaroj dot vetem me nje sms. Por do vij tek ju dhe do flas, takimi dhe takimet une i bej perhere se ne politike vota percakton hierarkine dhe peshen dhe cdo mekanizem tjeter hileqar nuk rrit dot. Partia Demokratike ka nevoje per riperteritje dhe vleresim te merites, keto i kam thene ne studion tuaj dhe kudo. Fakti qe takimi i individeve me te votuar ben lajm tregon urine e qytetareve dhe demokrateve per vleresim dhe analize reale te problemeve qe kemi ne. Une degjoj cdo demokrat dhe jo më demokrate qe te gjithe qe ishim ne kafe kane mbledhur me shume se 200.000 vota per PD. Shkurt te shkrova se dhe tani une prape me demokrate jam. Të pershendes nga Durresi me dy kryetaret e fundit te zgjedhur me vote ne degen Durres, dy nenkryetaret, sekretarin dhe sekretarin organizativ. Ju pershendes!”, shkruante Salianji në mesazhin e tij.
Nga ana tjetër dhe një prej pjesëmarrësve të tjerë në këtë takim, Ilir Alimehmeti u shpreh se në pranverë përfundon mandati i Berishës në krye të PD, dhe pas kësaj duhet një process rinovimi brenda partisë.
“Pranverën që vjen mbarojë të gjitha mandatet. Do ketë votimet të brendshme. Do ketë mundësi të riorganizohet PD, sepse kush e ka vizionin më të mirë politik kupton çfarë duhet të bëjë.
Ne kërkojmë dhe duam atë që do çdo opozitar, partia të forcohet.. të jetë shpresë fitore në zgjedhjet e ardhshme. Këtë do opozita dhe shumë shqiptarë që nuk votojnë PD por janë të lodhur nga qeverisa. Nuk shkohet dot me një kërcim por ka një zinxhir përfaqësimesh.
Në fund fare ne përfaqësojmë njerëz që na kanë votuar dhe duhet të përçojmë fjalën e tyre. Mbeten metodat mes miqsh por nuk është organizmin që optimizon situatën. Shqetësimi mbetet bazë, si ne shkojmë në mënyrë të suksesshme në zgjedhjet e ardhshme, të jemi të sigurt jo me pikëpyetje. Nuk e konceptojë dot garën politike pa e parë kundërshtarin përballë”, u shpreh Alihemeti.
Takimi që trazoi ujërat
Një takim i rëndësishëm, jashtë syve të medias, u zhvillua mes disa prej emrave më të votuar në listën e hapur apo primaret e PD-së, në ambientet e një hoteli privat në kryeqytet. Bëhet fjalë për deputetë dhe drejtues të lartë të Partisë Demokratike, emra të cilët janë renditur si ndër më të votuarit në zgjedhjet e 11 Majit dhe në primaret e kësaj force politike. Mësohet se në takimin që zgjati rreth 3 orë, ‘më të votuarit’ kanë diskutuar për të ardhmen e partisë më të madhe të opozitës.
Burime bëjnë me dije se në takim ishin të pranishëm:
-Ish-drejtuesi politik i Kavajës Ervin Salianji
-Ilir Alimehmeti që ishte i dyti më i votuari i PD-së në qarkun e Tiranës
-Hysen Kadiu që rezultati e nxorri të parin e më të votuar në Primaret e Tiranës e u la jashtë listave
-Aulon Kalaja më i votuari në listën e hapur Durrës
-Gent Cela më i votuari në Qarku Fier
-Qani Xhafa i Elbasanit
-Ted Kopliku më i votuari Qarku Shkodër
-Xhemal Gjunkshi Qarku Dibër
-Alma Kore më e votuara Qarku Gjirokastër
-Parid Mahmutaj më i votuari Qarku Berat
-Nada Daullja Qarku Vlorë dhe një sërë kandidatësh të votuar dhe fitues
Sipas burimeve, mësohet se qëllimi kryesor ishte dëgjimi i mendimeve dhe eksperiencës së fituesve për të nxjerrë zgjidhjet më të mira për PD-në, dhe nevoja e një aksioni brenda partisë pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit. Diskutimet kishin në fokus rikthimin e ‘ADN-së’ fituese të partisë, promovimin e meritokracisë, hapjen e strukturave dhe forcimin e besimit qytetar./ZËRI



