“Takime private për interesa personale”, a do të shkojë Berisha drejt përjashtimit të Salianjit dhe ‘tradhtarëve’?


“Takime private për interesa personale”, a do të

sali berisha dhe ervin salianji

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, e quan aktivitet totalisht privat, iniciativën e Ervin Salianjit, për t’u takuar me strukturat në bazë, ndërsa u pyet nga gazetarët nëse po mendon përjashtimin e ‘tradhtarëve’. Berisha tha se Partia Demokratike vepron mbi bazën e statutit dhe forumeve, dhe çdo aktivitet jashtë tyre bëhet për interesa personale, ndërsa nuk u përgjigj drejtpërdrejt nëse do të ketë përjashtime nga radhët.

“Asnjë aktivitet jashtë forumeve të PD nuk mund të ketë ndikimin më të vogël në PD. Çdo aktivitet jashtë forumeve të PD është strikt privat, pa asnjë lidhje me PD-në.

PD është parti me statut, me institucione, me forume. PD ka dhe do të ketë, ka filluar mbledhjen e forumeve, ka filluar debatin dhe do jetë debat i hapur për cilindo anëtar dhe drejtues. Çdo person tjetër që për qëllime private, personale, organizon takime, i ka ato totalisht në interesin e vet dhe nuk kanë asnjë lidhje me partinë. Ky rregull është për çdo forcë politike në botë”, u shpreh ai.

I pyetur nëse lidhje me foltoren e vitit 2021 që Berisha krijoi, kryedemokrati deklaroi se: “E bëra brenda strukturave, pasi kreu i strukturave kishte tradhtuar kauzën e mbarë demokratëve, e bëra për të shpëtuar PD nga kontrolli mafioz i Ramës dhe sorosianëve. Rama i kishte hapur dy procese Bashës.”

Prej disa ditësh, eksponentë të ndryshëm nga radhët e Partisë Demokratike kanë bërë thirrje për një analizë brenda kësaj force politike, si dhe nevojën për ndryshimin e lidershipit. Pak ditë më parë ishte ish—deputeti Ervin Salianji, ai që thirri në një takim disa prej emrave më të votuar në listën e hapur apo primaret e PD-së, në ambientet e një hoteli privat në kryeqytet.

Burime bëjnë me dije se në takim ishin të pranishëm:

-Ish-drejtuesi politik i Kavajës Ervin Salianji

-Ilir Alimehmeti që ishte i dyti më i votuari i PD-së në qarkun e Tiranës

-Hysen Kadiu që rezultati e nxorri të parin e më të votuar në Primaret e Tiranës e u la jashtë listave

-Aulon Kalaja më i votuari në listën e hapur Durrës

-Gent Cela më i votuari në Qarku Fier

-Qani Xhafa i Elbasanit

-Ted Kopliku më i votuari Qarku Shkodër

-Xhemal Gjunkshi Qarku Dibër

-Alma Kore më e votuara Qarku Gjirokastër

-Parid Mahmutaj më i votuari Qarku Berat

-Nada Daullja Qarku Vlorë dhe një sërë kandidatësh të votuar dhe fitues

Sipas burimeve, mësohet se qëllimi kryesor ishte dëgjimi i mendimeve dhe eksperiencës së fituesve për të nxjerrë zgjidhjet më të mira për PD-në, dhe nevoja e një aksioni brenda partisë pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit. Diskutimet kishin në fokus rikthimin e ‘ADN-së’ fituese të partisë, promovimin e meritokracisë, hapjen e strukturave dhe forcimin e besimit qytetar. Ndërkohë që vetë Salianji ka deklaruar më vonë se do të nisë një tur takimesh me strukturat e partisë, duke nisur nga qyteti i Durrësit. /ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top