TIRANË-Teksa gara për kreun e Partisë Demokratike është në prag, një përplasje ka filluar prej tre ditësh tashmë mes kryedemokratit Sali Berisha dhe ish-deputetit Ervin Salianji. Sot shkak i përplasjes është bërë një deklaratë e demokrates Jurida Tabaku, e cila nga një takim me të rinjtë në Shkodër, u shpreh se PD nuk e ka luksin të humbë askënd, duke iu referuar Salianjit. Tabaku theksoi se nuk ka një vendim të Kryesisë së partisë për t’i mbyllur derën.
Jurida Tabaku: E kam ndjekur në media diskutimin e zotit Salianji dhe kërkesa ime për të është që betejën ta bëjë në PD, boll ka vuajtur PD këto vite për betejë të bërë në studiot televizive. Nuk ka rëndësi ku jam unë apo Salianji nesër, por ku do të jetë PD dhe demokratët. Për mua ky debat duhet të bëhet brenda PD, kur bëhet jashtë është shqetësuese. Nuk e shoh te PS përshembull të ndodhë jashtë. Kemi boll forume për të folur. Gabimi që bëra në 3 vite të shkuara nuk do ta bëj sot, nuk kam për të dhënë mendime që kam për t’i dhënë në forumet e partisë. Nuk di të ketë një vendim të Kryesisë për t’i mbyllur dyert. Lë t’i lëmë kohë institucioneve dhe debatit të brendshëm që të marrë vendimin e duhur. Për mua PD nuk ka luksin të humbë askënd, ne duhet të shtohemi e zgjerohemi, t’ia shtrijmë dorën kujtdo. Në një parti politike vendos vota.
Sipas Berishës, deklarata e Tabakut është normale pasi sipas tij ka shprehur mendimin e saj, por sqaron se Ervin Salianji nuk është përjashtur por vetëpërjashtuar. Kreu i PD nënvizon se vetëpërjashtimi erdhi pasi ish-deputeti ka bashkëpunuar me grupet kriminale dhe këtë gjë partia nuk e fal.
Sali Berisha: Së pari njëherë, deputetja ka shprehur mendimin e vet dhe kjo është një gjë krejt normale. Së dyti, nuk është përjashtuar, është vetëpërjashtuar. Vetëpërjashtimi është kur ti shkel në mënyrë flagrante ato që thotë statuti i partisë tënde. Kjo është e vërteta. Për dijeni, nuk ka pasur asnjë funksion, as në Këshill Kombëtar, as në Kryesi, në asnjë institucion. Pasi doli nga burgu, për ta respektuar, u kooptua përkohësisht në Kryesi dhe tregoi se nuk ishte i denjë. U vetëpërjashtua me aktet që bëri. Kaq. Nuk ka, bashkëpunimin me krimin nuk e falim ne si parti. E kemi të prerë atë në mënyrë absolute.
Në një përgjigje, ish-deputeti Ervin Salianji u shpreh se statuti i Partisë Demokratike nuk parashikon “vetëpërjashtimin” ndërsa thotë se largimi i tij nga PD, është në interes të Berishës pasi ka frikë nga zgjedhjet për kryetarin e opozitës.
Ervin Salianji: Kush ka lidhje dhe me kë do kemi kohë e do i qartesojmë, por pyetjet mbeten; a do të ketë garë të hapur? A do të ketë votë të lirë për demokratët? Si do fitojë Partia Demokratike? Kur? A mbahet përgjegjesi për rezultatet dhe premtimet? A mundet një kandidat të përjashtojë kandidatin tjetër? Se në mungesë të garës, shpiken romane me “vetëpërjashtime”. Unë nuk jam vetëpërjashtuar nga askund. Përkundrazi, kam qenë dhe jam pjesë e Partisë Demokratike, me kontribut, sakrifica deri në burg politik, me përballje reale dhe fitore për demokratët! Problemi nuk është kush “përjashtohet”, por pse nuk lejohet gara, se Sali Berisha apo kushdo tjetër mund të thotë çfarë të dojë për mua, por nuk mund të shmangë pyetjen kryesore: pse i trembet garës? Unë kërkoj vetëm një gjë: rregulla dhe votë, këtë kërkojnë demokratët, shoqëria dhe partnerët! Pjesa tjetër është propagandë për të mbuluar frikën.



