Niklas Fyllkrug po bëhet gati të nisë aventurën e tij si një futbollist i ri i Milanit. Sulmuesi gjerman ka mbërritur mbrëmë në Milano, ndërsa sot që në mëngjes është shfaqur në klinikën mjekësore ku do të kryejë vizitat e rastit.

Edhe pse merkato nuk ka filluar zyrtarisht, Milani ka gjetur akordin me Uest Hemin për transferimin e tij dhe ka marrë lejen e klubit anglez që ai të nisë të stërvitet menjëherë nën urdhrat e Masimiliano Alegrit, pa pritur janarin.
Edhe Federata Italiane ka dhënë lejen për aktivizimin e tij të mundshëm që në ndeshjen e 2 janarit ndaj Kaljarit, nëse gjithçka shkon si duhet për dokumentacionin, ndaj sot pritet vetëm përfundimi i vizitave mjekësore për të hedhur firmat në kontratë.
Paralelisht me afrimin e Fyllkrug, Igli Tare ka bërë edhe një tjetër lëvizje të rëndësishme. Ai ka gjetur akordin me belgun Divok Origi, barrën më të rëndë në bilancin e Milanit në vitet e fundit. Sulmuesi i cili nuk luante që nga viti 2023 dhe nuk ishte pjesë e skuadrës, paguhej rregullisht nga kuqezinjtë pa dhënë kontributin e tij,e dhe pse ishte ndër më të paguarit në ekip me 4 milionë euro në vit.
Kontrata e tij mbaronte në fund të sezonit, por Tare ka gjetur gjuhën e përbashkët me lojtarin që ka nënshkruar marrëveshjen për prishjen e saj që në janar duke dalë lojtar i lirë. Kësisoj, Milani ka kursyer rreth 2 milionë euro nga kjo lëvizje e drejtuesit shqiptar.
PANORAMASPORT.AL








