TIRANË-Prej dy ditësh Emiratet e Bashkuara Arabe po përballen me sulme me raketa nga Teherani. Lidhur me situatë një regaim ka ardhur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili dënon agresionin e Iranit, duke theksuar se këto sulme rrezikojnë seriozisht paqen në rajonin e Lindjes së Mesme. Kreu i qeverisë i cilëson sulmet e Iranit si terroriste.
Edi Rama: Sulmet me raketa nga Shteti terrorist i Iranit kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, një vend mik, janë një akt i pamatur, i paprovokuar dhe krejtësisht i pajustifikueshëm agresioni kundër një shteti sovran dhe kundër vetë paqes rajonale. Emiratet e Bashkuara Arabe u përballën sërish sot me sulme me raketa dhe dronë dhe ne, Shqipëria, e dënojmë në termat më të ashpër këtë sulm terrorist nga një regjim që vazhdon të eksportojë dhunë, paqëndrueshmëri dhe pasiguri përtej kufijve të tij. Të shënjestruarit e Emirateve të Bashkuara Arabe, një vend që qëndron për paqe, progres, stabilitet dhe partneritet përtej feve, racave, gjuhëve dhe rajoneve, nuk është vetëm një sulm ndaj një shteti, por një sulm ndaj vetë mundësisë së paqes dhe sigurisë në Gjirin Persik dhe shumë më gjerë.
Solidariteti ynë i plotë është me udhëheqjen, popullin dhe mbrojtësit e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ata që kërkojnë të terrorizojnë vendet e lira përmes raketave dhe frikësimit duhet ta dinë se akte të tilla vetëm sa thellojnë izolimin e tyre dhe forcojnë vendosmërinë e atyre që qëndrojnë për sovranitet, siguri dhe paqe globale. Irani duhet të mbahet plotësisht përgjegjës për këtë përshkallëzim të rrezikshëm dhe, para së gjithash, për hir të vetë popullit të tij, i cili mbetet peng i një regjimi që qeveris me instinktet e Epokës së Gurit, ndërsa e tërheq një komb të lashtë gjithnjë e më thellë drejt izolimit, terrorit dhe vetëshkatërrimit.
Kuvendi i Shqipërisë në seancën e 17 marsit mirtaoi projekt-rezolutë për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste. Rezoluta dënon sulmet kibernetike të Iranit kundrejt institucioneve të Shqipërisë, ku i fundit ishte ndaj Kuvendit dhe u bën thirrje vendeve të tjera demokratike dhe organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve./ZËRI



