Ish-trajneri i kombëtares spanjolle, Visente del Boske që fitoi Kupën e Botës dhe Europian deklaron se menaxhimi i Real Madridit “është më i lehtë sesa të jesh në klube të tjera”.
Ai beson se detyra më e madhe e një trajneri sot është të dijë si ta “përdorë të gjithë skuadrën” për të menaxhuar orarin e ngjeshur, si dhe të dijë si të “ndërtojë një dhomë zhveshjeje të mirë dhe të shëndetshme”. Del Boske, i cili mbush 75 vjeç sot, ndau këto reflektime në një intervistë me rastin e marrjes së Çmimit María de Villota 2025 në njohje të karrierës së tij në Real Madrid dhe me kombëtaren spanjolle.
“Gjithmonë jam përpjekur t’i trajtoj njerëzit në të njëjtën mënyrë siç më trajtuan kur isha fëmijë. Gjithmonë jam përpjekur të ndërtoj një dhomë zhveshjeje të mirë dhe të shëndetshme. Kjo është shumë e rëndësishme”, deklaroi trajneri.
Ai gjithashtu theksoi se roli kryesor i një trajneri sot është të dijë si ta menaxhojë skuadrën në një kontekst ku ka ndeshje çdo tre ditë. “Duhet t’i përdorësh të gjithë. Kjo është puna kryesore e trajnerit tani”, shton ai.
Del Boske rrëfen se gjithmonë mendonte se karriera e tij si trajner do të kufizohej në zhvillimin e lojtarëve të rinj, derisa mori përsipër detyrën e trajnerit të Real Madridit në vitin 1999 pas disa ndeshjeve si trajner i përkohshëm në vitet 1994 dhe 1996. Sipas mendimit të tij, “të jesh te Real Madridi është më e lehtë sesa të jesh në ekipe të tjera”. “Ne kishim fituar në vitet 1998, 2000 dhe 2002. Patëm një ecuri të shkëlqyer. Madridi arriti diçka të jashtëzakonshme”, kujton ai dy Kupat e Evropës të fituara gjatë katër sezoneve të tij në krye të klubit.
Duke reflektuar mbi karrierën e tij, ai thotë: “Kam qenë i privilegjuar që i jam përkushtuar futbollit, duke ardhur nga lagjja ime, dhe që kam qenë te Real Madridi për 37 vjet, gjithmonë në të njëjtin klub. Kam qenë i lumtur duke luajtur futboll”.
Nga koha e tij me ekipin kombëtar, përveç Kupës së Botës, ai e vlerëson atë si “një periudhë shumë të këndshme”, gjatë së cilës, në 114 ndeshje, pati vetëm një karton të kuq. “Ne gjithmonë kishim një atmosferë të shkëlqyer. Ne morëm maksimumin nga lojtarët tanë”, thekson ai.
Kur u pyet për lojtarin më të mirë me të cilin ka punuar ndonjëherë, ai u përgjigj: “Do të thoja Pirri dhe Amancio, të cilët janë nga epoka ime, dhe pastaj Raul, Fernando Hierro, Zidan dhe Ronaldo. Të gjithë ishin sensacionalë”.
Del Boske është optimist për shanset e Spanjës për të fituar Kupën e Botës të dytë vitin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada: “Ne kemi qëllimin të bëhemi përsëri kampionë bote. Pa u mburrur dhe me kujdes. Ne kemi shpresën të jemi kampionë, ne kemi ekipin për ta bërë këtë”.
PANORAMASPORT.AL








