TIRANË- Në Gjykatën Kushtetuese po mbahet seanca për rastin e Belinda Balluku, ku po shqyrtohet ankimi i kryeministrit Edi Rama pas pezullimit të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës. Prokurori i SPAK, Dritan Prençi, tha se hetimet kanë zbuluar prova për vepra të tjera penale, prandaj është lënë në fuqi masa e pezullimit ndaj Ballukut. Sipas Prençit nuk ka një konflikt kompetencash mes GJKKO-së dhe Kryeministrit.
Prokurori i SPAK, Dritan Prençi: Prokuroria e posaçme vlerëson se kërkesa e kryeministrit për shfuqizimin e vendimeve të gjykatës së posaçme për masën e sigurimit personal, apo për interpretimin e nenit 103.3 i Kushtetutës nuk paraqet konflikt kompetencash mes pushteteve pasi masat e sigurimit janë vendime individuale penale me juridiksion penal dhe nuk krijojnë konflikt kompetencash. Kërkuesi nuk mund të përdorë këtë pretendim për të bllokuar hetimin penal ndaj ministrit pasi ndjekja penale dhe vlerësimi i masës së pezullimit janë kompetenca ekskluzive të Prokurorisë së Posaçme dhe GJKKO-së, pra të pushtetit gjyqësor dhe nuk mund të cënohen nga ndërhyrja e pushtetit ekzekutiv. Masat e sigurimit janë të ankimueshme dhe ekziston një procedurë e plotë ankimi në gjykatën e apelit dhe Gjykatën e Lartë. Pretendimi se pezullimi i zv.kryeminsitrit dhe ministrit të Infrastrukturës ka penguar funksionimin normal të Këshillit të Ministrave ose kompetencat e Kryeministrit, nuk qëndron. Është fakt që masa ndaluese prek vetëm individin dhe nuk ndalon funksionimin e institucionit ashtu siç lejon Kushtetuta për rastet e mungesës së përkohshme të ministrit. Masat e pezullimit kanë natyrë të përkohshme dhe janë të nevojshme për të siguruar vijimin e hetimit penal dhe nuk shkakton pasoja të pariparueshme. Prokuroria e Posaçme i qëndron qëndrimit të saj se kërkesa e kryeministrit në tërësinë e saj nuk duhet të pranohet.



