TIRANË- Teksa Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të dëgjojë sot kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, kryeministri Edi Rama ka mbërritur në zyrën e tij në godinën e qeverisë. Rama pritet të ndjekë në distancë zhvillimet për çështjen Balluku, ndërsa deri tani socialistët nuk kanë mbajtur një qëndrim të qartë, nëse do të votojnë pro apo kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit.
SPAK në kërkesën që ka dorëzuar në Kuvend ka rënduar pozitën e Ballukut, duke e akuzuar atë jo vetëm për tenderat, për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës, por edhe për koncesionin e ndërtimit të rrugës Thumanë-Kashar me vlerë më shumë se 245 mln euro nga kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt, tenderin e rrugës Porto Romano-Durrës 12 mln euro dhe mirëmbajtjen e akseve të veriut me vlerë 440 mijë euro.
Prokuroria do të përfaqësohet në mbledhjen e sotme nga prokurori i çështjes Dritan Prençi, kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, bashkë me prokuroren Dorina Bejko.
Pas seancës së sotme, ku prokurorët e SPAK do të prezantojnë argumentet e tyre për heqjen e imunitetit të Ballukut, që i hap rrugë arrestimit të saj, brenda dy javëve, Këshilli i Mandateve do të duhet që të hartojë një raport që do ta dërgojë në seancë plenare, përmes të cilit rekomandon rrëzimin ose dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurisë së arrestit në burg apo shtëpi apo kontrollit personal dhe të banesës.
Më pas Kuvendi, në seancë plenare, vendos me votim të hapur dhënien apo jo të autorizimit. Në rast se Kuvendi nuk merr vendim, brenda tre muajve nga data e paraqitjes së kërkesës, kërkesa konsiderohet e rrëzuar.
Çfarë ka ndodhur me çështjen e Belinda Ballukut
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro.
Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë zv.kryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Me shumicë votash, 5 me 3, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor. Po në të njëjtën mbledhje, dhe me të njëjtën shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi edhe pranimin e ankimimit të Qeverisë të bërë ndaj kësaj çështjeje. Për kërkesën e qeverisë për shqyrtimin në themel të çështjes, gjykata caktoi datën e seancës plenare publike: 22 janar 2026, ora 10:00. Në këtë proces do të thirren edhe SPAK, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës.
Katër ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit. Në njoftimin e ndarë për mediat, SPAK thotë se i ka kërkuar autorizim Kuvendit për arrestimin e Ballukut.
Kërkesa e SPAK
Në kërkesën drejtuar Kuvendit, Prokuroria e Posaçme informon se Belinda Balluku po hetohet në total për 8 procedura prokurorimi. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Ndërkohë, Balluku është vënë në hetim edhe për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro)./ZËRI





