TIRANË– Në godinën e Kryesisë së Kuvendit kanë mbërritur njëri pas tjetrit deputetët që do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandatit dhe Imunitetit, ku do të dëgjohet sot kërkesa e Prokurorisë së Posaçme, për numrin 2 të qeverisë Belinda Balluku.
Të parët që kanë mbërritur në ambientet e Kryesisë janë deputetët e PD, ndërsa edhe nga socialistët nuk munguan Taulant Balla dhe Ulsi Manja. Mbledhja pritet që të nisë në orën 10:30, ndërsa deri tani mbetet e pakonfirmuar nëse do të jetë e pranishme vetë Belinda Balluku, e cila mbrëmjen e djeshme ka qëndruar në ambientet e kryeministrisë deri në orët e vona.
Anëtarët e Këshillit janë Niko Peleshi, Taulant Balla, Ulsi Manja, Bledi Çuçi, Bledi Çomo, Antoneta Dhima anëtar zëvëndësues, Arkend Balla anëtar zv/anëtarë, Gazment Bardhi, Oerd Bylybashi, Elda Hoti, Gent Strazimiri, Saimir Korreshi, Ivi Kaso zv/anëtarë dhe Gerta Bardeli zv/anëtarë.
Kuvendi ju ka shpërndarë 10 anëtarëve të Këshillit, vetëm kërkesën e Prokurorisë Speciale (SPAK), por jo provat mbështetëse që ndodhen në një USB, siç SPAK i ka dorëzuar, me argumentin se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që këto informacione të ngelen sekret dhe ndalohet publikimi i tyre.
Prokuroria do të përfaqësohet në mbledhjen e sotme nga prokurori i çështjes Dritan Prençi, kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, bashkë me prokuroren Dorina Bejko.



