TIRANË- Belinda Balluku do të qëndrojë në detyrë të paktën edhe një muaj, pavarësisht kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të saj, që do ti hapte rrugë rrjedhimisht edhe ashpërsimit të masës së sigurisë ndaj saj, në arrest shtëpie apo me burg. Konfirmimi është bërë sot nga kryeministri Edi Rama, i cili e tha prerë që socialistët nuk kanë ndërmend të heqin imunitetit e Ballukut, pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit do të diskutojë në seancë të hapur ankimimin e kryeministrit Edi Rama, në datën 22 Janar, çka detyrimisht çon që zëvendëskryeministrja të qëndrojë në detyrë edhe për të paktën një muaj.
Çfarë tha sot Rama
Jam shumë kurioz, pse prokurorët që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme, në ditët e fundit, nuk e mbajtën parasysh që si fillim jemi në një çështje ballë për ballë në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar ku gjykata më e lartë e vendit, duhet të gjykojë në themel çështjen e masës së pezullimit antidemokratik të një anëtari qeverie me kërkesë prokurorie. E ngre këtë pyetje sepse në çdo vend, ku drejtësia nuk vrapon, po gjykon, ajo do të priste fundin e gjykimit për një masë, para se të kërkonte një masë tjetër, sepse shteti i të drejtës nuk është shesh as për karshillëk mes pushteteve të pavarura, as për përsheshin e një pushteti në territorin kushtetues të një pushteti tjetër. Sot, nuk e kam përgjigjen, por do të vazhdoj të lexoj, do vazhdoj të mësoj dhe do të vazhdoj të bëj të gjithë përpjekjet e mia që të kuptoj sa më mirë nga analiza e thelluar e simptomave të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, e me siguri do ta kem në kohën e duhur edhe përgjigjen time për sa më lart.
Por në ndërkohë, sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që ne shumica qeverisëse dhe parlamentare e këtij vendi ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme, të cilat edhe në dritën e raportit të ekspertëve të Këshillit të Europës, edhe në dritën e raportit të Komisionit të ‘torturave’ të Këshillit të Europës, edhe në dritën e shumëçkaje tjetër janë vërtetë për t’u marrë dhe për t’u gjykuar me shumë qetësi, por jo pa mbaruar njëherë me themel procesi që kemi hapur në Gjykatën Kushtetuese, për masën ekstreme, për masën antidemokratike dhe antikushtetuese të pezullimit nga prokurorët që sikur s’kishte ndodhur dhe s’ka ndodhur asgjë erdhën me vrap të kërkojnë masa të tjera. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon.
Pse SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të Ballukut
Në kërkesën e depozituar në Kuvend, prokurorët e SPAK njoftuan zgjerimin e hetimeve në drejtim të zëvendëskryeministres, ndërsa në argumentet e tyre përmendej dhe prishja e provave dhe intimidimi i dëshmitarëve. Ndërkohë që SPAK kërkon imunitetin e Ballukut, zëvendëskryeministrja sipas prokurorëve kishte intimiduar një prej vartëseve të saj. Nga ana tjetër, përveç tenderit për tunelin e Llogarasë, për të cilin Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, për shkeljen e barazisë në tendera, Prokuroria ka zgjeruar hetimet dhe në drejtim të disa prej loteve të Unazës së Madhe si dhe Koncensionin Thumanë-Kashar.
Çfarë do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese, ka si objekt masën e parë të sigurisë që Gjykata e Posaçme dha në drejtim të Ballukut, atë të pezullimit nga detyra, dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit. Gjyqtarët kanë kërkuar kohë për shqyrtimin e ankimimit të qeverisë, dhe kanë njoftuar seancë publike në datën 22 Janar, ku dhe do të shprehen për kërkesën e kryeministrit Edi Rama.
Me njoftimin e sotëm të kryeministrit Edi Rama, duket se puna për Niko Peleshin bëhet më e lehtë. Në mbledhjen e Këshilli të Mandateve që u mbajt të premten, prokurorët kërkuan që deputetët të njihen me të gjitha provat e dosjes, dhe thanë se 5 ditë kohë do të ishin të mjaftueshme për leximin e tyre. Demokratët thanë se mbledhja e radhës duhet të mbahet këtë fillimjave, por duket se socialistët në ndryshim nga raste të ngjashme më herët, imunitetin e Belinda Ballukut nuk do ta lëshojnë lehtë. /ZËRI








