TIRANË-Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve do të mblidhet më datë 28 janar për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres dhe njëkohësisht ministrres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Vendimi vjen pasi Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në SPAK kallëzim penal për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, ndaj Kryetari të Kuvendit Niko Peleshi, për shkak të zvarritjes që po i bëhet kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, për imunitetin e Belinda Ballukut. Urdhri për thirrjen e mbledhjes është firmosur këtë të premte nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi.
Në mbledhjes e parë, datë 19 dhjetor, Këshilli nuk doli me një datë tjetër për mbledhjen e radhës. Në mbledhje mazhoranca këroi të mblidhet Këshilli më 19 janar. Avokati i Ballukut kërkoi 3 javë kohë, për t’u njohur me provat e SPAK. Me kërkesë të demokratëve, Këshilli vendosi që anëtarët të marrin me vete USB-në me 10 mijë faqe me prova për dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku. Vetë kryeministri Edi Rama ka deklaruar se socialistët nuk do të ndërmarrin asnjë iniciativë për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese për pezullimin e saj, me urdhër të SPAK dhe Gjykatës së Posaçme.
Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin. Por në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar. Ndërkohë vetë kryeministri Edi Rama ka theksuar se Kuvendi i Shqipërisë nuk do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për Belinda Ballukun deri në momentin që Gjykata Kushtetuese do të shprehet me një vendim më 22 janar.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit, Prokuroria e Posaçme informon se Belinda Balluku po hetohet në total për 8 procedura prokurorimi. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Ndërkohë, nga relacioni i zbardhur u zbulua se SPAK kërkon arrestimin e Ballukut për shkak se situata penale është rënduar dhe zv.kryeministrja dyshohet për manipulim në të paktën 11 tendera dhe rrezikon që të kryejë krime më të rënda për shkak të personalitetit të saj./ZËRI



