ARMENI-Kryeministri Edi Rama ndodhet në Armeni, ku do të marrë pjesë në punimet e Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Europian, i cili do të zhvillohet në kryeqytetin Jerevan. Samiti synon të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin politik për të adresuar çështje me interes të përbashkët, si dhe të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit europian.
Samiti i këtij viti do të bëjë së bashku 48 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga i gjithë kontinenti nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Europë”. Për herë të parë, në këtë samit do të marrë pjesë dhe një shtet jo-evropian si Kanadaja.
Rama do të marrë pjesë në takimin e dytë informal të Koalicionit Europian Kundër Drogave (ECAD), i cili do të bashkëkryesohet nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni. Po ashtu kreu i qeverisë do të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët të bashkëkryesuar me Kryeministrin e Finlandës Petteri Orpo, me temë “Forcimi i lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike në kontekstin e tranzicionit të gjelbër”. Në këtë sesion do të diskutohen masa konkrete për rritjen e lidhshmërisë në sektorët e energjisë dhe atij dixhital, si dhe për sigurimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, duke reduktuar varësitë në kuadër të tranzicionit energjetik.
Axhenda
09:00- Mbërritjet
10:45- Ceremonia e hapjes/ Foto familjare
11:30- Hapja e seancës plenare plenare
12:45- Dreka joformale/ Takime dypalëshe dhe shumëpalëshe
14:15- Diskutime në tryezë të rrumbullakët
15:15- Takime dypalëshe dhe shumëpalëshe
16:00- Seanca plenare përmbyllëse
16:30- Deklarata për shtyp



