TIRANË-Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka folur rreth procesit zgjedhor që po zhvillohet në 5 bashki të vendit. Celibashi ka raportuar se deri në këto momente nuk janë raportuar problematika, ndërsa thekson se në të gjithat Qendrat e Votimit po aplikohet identifikimi elektronik dhe nuk ka asnjë problematikë.
“Në masën 81% janë hapur në orën 07:00, vetëm 19% e qendrave janë hapur rreth orës 07:00 dhe 08:00 të mëngjesit. 34% e komisioneve janë të përbërë me 7 anëtare, 18% me 6 anëtarë, 29% me 5 anëtarë. Vetëm në 3 QV në hapje të procesit të votimit, kishte mungesë të kuorumit, por u mundësua pasja e koriumit dhe ka nisur procesi i votimit. Deri në momentin që po flasim s’janë raportuar problematika në lidhje me procesin e votimit, nuk kemi asnjë problem të raportuar në lidhje me përdorimin e pajisjeve të identifikimit elektronik, 100% e QV janë me operator. Nuk kemi transmetim në kohë reale nga 18 QV, por ndërkohë jemi duke marrë informacionin në mënyrë alternative. Sa i përket pjesëmarrjes është 2.42%”, tha Celibashi.
Ndër të tjera, kreu i KQZ tha se procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e pjesshme do të përfundojë të hënën në drekë dhe do të transmetohet në kohë reale, për shkak të numrit të vogël të KZAZ.
“Dreka e ditës së nesërme do jetë përfundimi i procesit të numërimit në të 5 bashkitë. Qartazi varet nga pjesëmarrja, por nëse pjesëmarrja do jetë ajo e vitit 2023, me shumë mundësi do ta përfundojmë ne mesin e ditës së hënë. Për 9 KZAZ do ketë pamje live të vendit të numërimit të votave.”-tha Celibashi.
Vlora, Berati, Cërriku, Mati e Tepelena mbajnë zgjedhjet e pjesshme. Prej orës 07:00, në pesë bashki të Shqipërisë janë hapur kutitë e votimit./ZËRI



