TIRANË-Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën plenare që do të mbahet sot në Kuvend. Opozita ka deklaruar se seanca e 17 marsit është e paligjshme dhe se është thirrur në kundërshtim të hapur me Rregulloren.
Kuvendi do të zhvillojë sot një seancë plenare me qëllim miratimin e projektrezolutës për shpalljen e Iranit “shtet financues të terrorizmit”. Partia Socialiste e ka depozitoi më 13 mars, draft-rezolutën për shpalljen e Iranit si “shtet sponsor i terrorizmit” dhe shtet që përdor mjete terroriste.
Gazmet Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PD ka deklaruar se kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit Edi Rama dhe të kreut të Kuvendit Niko Peleshi, pa një rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht dhe në shkelje të procedurave që parashikon Rregullorja e Kuvendit.
Sipas Bardhit, një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk mund të funksionojë normalisht dhe rrezikon të kthehet në një instrument në shërbim të qeverisë. Në vend të parlamentit, opozita ka zgjedhur të jetë sot në terren pranë qytetarëve për t’u mobilizuar për protestën e 22 marsit.
Në lidhje me vendimin e opozitës, një reagim erdhi edhe nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla. Ky i fundit u shprehet se në parlament pritet të kalojë projekt/rezoluta për shpalljen e Iranit si shtet që sponsorizon terrorizmin. Ai shton se Shqipëria edhe në këtë iniciativë qëndron fort përkrah aleatëve të saj strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Balla i bën thirrje grupit parlamentar të PD-së që të reflektojë për vendimin e marrë, teksa deklaron se kush e ka urdhëruar nesër bojkotimin e seancës nuk ia do të mirën as opozitës së vendit e as Shqipërisë.
Rendi i ditës
Në mbështetje të nenit 7, pika 6, dhe nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, bazuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 2 — 20 mars 2026, urdhëroj:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 17.3.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 5.3.2026 dhe 12.3.2026.
2. Njoftime.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.





