Sot mbahet foltorja e radhës e opozitës përpara Kryeministrisë!


Sot mbahet foltorja e radhës e opozitës përpara

foto nga protesta e 24 nentorit

TIRANË- Opozita do të mbajë sot foltoren e radhës përpara Kryeministrisë. Ashtu si në dy tubimet e para, edhe kjo e sotmja do të nisë në orën 18:00, ku pritet që të mbajnë fjalime qytetarë, partitë aleate të PD-së për ta përmbyllur me kryedemokratin Sali Berisha. 

PD ka mbajtur më herët dy protesta përpara Kryeministrisë, me 17 dhe 24 nëntor, të cilat kanë qenë kryesisht të qeta dhe pa incidente. Tubimi i 17 nëntorit që zgjati më shumë se 90 minuta, ishte i pari që pas zgjedhjeve të 11 majit dhe që çeli një sezon protestash, tashmë para kryeministrisë. Lideri demokrat Berisha mbajti fjalën e tij në këtë protestë, nga ku hodhi akuza drejt kryeministrit Rama për projektligjin e Barazisë Gjinore dhe lënien në harresë të trajtimit të të sëmurëve me kancer.

Në protestën e dytë të 24 nëntorit, Berisha hodhi akuza të tjera ndaj qeverisë dhe kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim nga SPAK për aferën e Tunelit të Llogarasë. Nga “Foltorja 2”, Berisha shigjetoi qeverinë, duke e cilësuar si ‘antishqiptare dhe më të korruptuarën në historinë e Shqipërisë’. 

Siç është bërë me dije më herët nga kreu i demokratëve Sali Berisha, aksioni opozitar do të jetë i përjavshëm, në formën e një platforme parlamente me podium dhe foltore në Bulevardin e kryeqytetit, dhe është radha e skenarit për protesta kombëtare. Ai shtoi se qëllimi nuk është vetëm shpëtimi i opozitës, por i Shqipërisë nga krimi dhe korrupsioni, duke paralajmëruar se fundi i qeverisë do të vijë nga kjo betejë në shesh./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top