TIRANË- Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një tjetër vendim për Shqipërinë, pas ndërprerjes perkohësisht të fondeve në fushën e bujqësisë. Këtë herë BE ka vendosur të ngrijë financimet për sektorin dixhital. Burime për Kapital informojnë se vendimi për të ndërprerë financimet e axhendës dixhitale për Shqipërinë është marrë pas hetimit të SPAK lidhur me tenderat e AKSHI (Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit).
Bëhet me dije se Komisioni Europian ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare për ngrirjen pa afat të financimeve me argumentin e mbrojtjes së interesit të taksapaguesve të BE-së. Ende nuk është plotësisht e qartë se sa është në total paketa e fondeve që BE ka vendosur të pezullojë për Shqipërinë.
Ndërkohë mbi 44 milionë euro u dhanë në vitin 2025 nga Komisioni Evropian për dixhitalizimin në Shqipëri. Fondi u nda në kudër të programit IPA III, ku do të mbështeste financiarisht 4 sektorë: dixhitalizimin dhe sigurinë, dixhitalizmin e shërbimeve për bizneset, aftësitë dixhitale dhe transformimin e arsimit. Progami i IPA III për ekonominë dhe shoqërinë dixhitale përfshinte edhe pajisjen me laptopë të 5500 mësuesve të shkollave të mesme si dhe rishikimin e kurrikulës së Teknologjisë së Informacionit. Programi i cili ka filluar në vitin 2021 ka një afat deri në vitin 2027, por këto fonde tashmë janë të ngrira.



