TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha sqaroi për qytetarët mbledhjen e djeshme të Kryesisë, e cila u shoqërua me përplasje dhe debate të forta. Në komunikimin publik në rrjetin e tij social, Facebook, Berisha deklaroi se nuk ka përçarje brenda forcës politike, ndërsa mbedhjen e konsideroi të rëndësishme dhe pozitive. Berisha nuk la pa komentuar demokratët të cilët po bëjnë zhurmuesin në favor të Ramës, duke shigjetuar kështu Ervin Salinajin, i cili ka shkaktuar jo pak tension me zhvillimet e fundit.
“Ju siguroj se mbledhja ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe pozitive. Nuk ka një përçarje, ju garantoj, Po pas zgjedhje të PD pati demokratë që hanë trupin me bukë dhe vrapuan u punësuan në administratën e krimit. Pati të tjerë të cilët vendosën të mos merren më me politikë, por të ndjekin jetën e tyre. Pati të tjerë që flirtojnë me qeverinë për kontratat që kanë. Unë dua tu them ju që kjo parti ka dhe do ketë vetëm një qëllim, idealin e lirisë, rikthimin e votës së lirë. Kjo parti nuk do të qëndrojë për kontratat e asnjeriu. Kontrata jonë është me qytetarët, për demokracinë, familjen dhe Shqipërinë. Ndaj asnjë shqetësim nuk duhet të kesh. Ata që zgjedhin për tu bërë zhurmues në favor të Edi Ramës, duke mashtruar, duke manipuluar elemente që kanë punuar haptas ndaj PS dhe deputetëve të PS. Madje kanë dalë edhe kandidatë në bashkinë e Tiranës kundër kandidatëve të PD, ata janë falls, nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet tona. Kjo është koha e misionarëve”, tha Berisha.
Berisha iu rikthye sërish çështjes së Avokatit të Popullit, duke përsëritur edhe një herë se ishte gabim për të cilin ka kërkuar ndjesë. Sipas liderit demorkat, firmosja e kandidaturës së Endrit Shabanit ishte një gabim, akt i nxituar, megjithatë sipas tij, ai është zgjedhur nga Rama pasi firmat e opozitës u tërhoqën.
“Ndërkohë, shkurtimisht dua t’ju njoftoj se zgjodhi pa firmat e opozitës Avokatin e tij të Popullit, duke marrë edhe atë grimcë pushtet që kishte mbetur i ndarë. Unë e kam theksuar dhe theksoj se firmosja e kandidaturës së Endrit Shabanit ishte një gabim, akt i nxituar, i cili ndodhi në një periudhë kur u krijua një lloj koalicioni për kandidaturën e Bashkisë së Tiranës.
Megjithatë, nuk është ajo firmë që bëri të mundur zgjedhjen e Endrit Shabanit, se ajo firmë u tërhoq po me firmë nga të gjithë ata që i kishin vendosur firmat. Pra, njëra anë është një nxitim dhe gabim për të cilin unë kam kërkuar dhe kërkoj prapë ndjesë, por ana tjetër është zgjedhja, nuk u bë nga firmat se firmat u tërhoqën. Ndaj dhe cilido që beson se ai u zgjodh nga firmat e Partisë Demokratike, mashtron veten. Ai u zgjodh nga Edi Rama pa firmat e Partisë Demokratike sepse ato firma u tërhoqën një për një po me firmë nga ata që kishin firmosur.”, tha Berisha.
Në përfundim, Berisha ftoi qytetarët që më 22 dhjetor të dalin në protestë. Sipas Berishës, do të nisin betejat që nuk do të ndalen deri në rifitimin e të drejtës së votës së lirë, qeverinë teknike dhe fitoren e PD
“22 dhjetori të jetë fillimi ynë i fuqishëm, të jetë dita jonë në të cilën ne nisim një betejë që nuk duhet ta ndalim kurrë deri në rifitimin e të drejtës së votës së lirë, qeverinë teknike dhe fitoren e PD”, u shpreh kryedemokrati Berisha./ZËRI



