TIRANË- Protesta e radhës e Partisë Demokratike do të mbahet më 28 shkurt. Lajmi u bë me dije nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili përmes një mesazhi që u është dërguar strukturave të PD-së, ka përgëzuar për ‘suksesin e ri shumë të rëndësishëm të arritur më 20 shkurt’.
Por, pa humbur shumë nga kohë, Berisha u ka bërë thirrje strukturave që të nisin mobilizimin për protestën e 28 shkurtit, duke kërkuar angazhim maksimal për të garantuar pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve. Megjithatë, ora dhe vendi nuk është bërë ende me dije, për t’u zbuluar në ditët në vijim.
Mesazhi:
Drejtuar: Anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike, drejtuesve politikë të qarqeve, kryetarëve të degëve të PD-së, deputetëve të grupit parlamentar, kryetarëve dhe këshilltarëve të bashkive, anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe të gjithë anëtarëve e mbështetësve tanë!
Të dashur miq,
Me këtë mesazh dua t’ju përgëzoj përzemërsisht të gjithëve për suksesin e ri shumë të rëndësishëm që arritëm më 20 shkurt, falë angazhimit, përkushtimit, guximit dhe vendosmërisë suaj.
Dje, në një datë historike, shënuam për opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar një fitore të re tejet të çmuar për suksesin përfundimtar të kryengritjes sonë paqësore. Jehona e këtij suksesi pushtoi dje, me shpejtësi të pashembullt, hapësirën e komunikimit si dhe mendjet e zemrat e shqiptarëve dhe të njerëzve të lirë në mbarë botën.
Ndaj, duke filluar nga nesër, me energjinë dhe frymëzimin e 20 shkurtit, të nisim me përkushtim betejën e ardhshme! Të trokasim në çdo derë, në çdo lagje, bllok, rrugë e rrugicë, në çdo fshat e qendër pune, për të garantuar pjesëmarrjen më masive të shqiptarëve në protestën e ditës së shtunë, më datë 28 shkurt.
Kjo është përparësia jonë! Mobilizoni të gjitha forcat dhe energjitë për përmbushjen e këtij misioni!
Përshëndetje të përzemërta.
Fitore!
Miqësisht,
Sali Berisha
Ps Ora, vendi do ju njoftohen te hënen
Tubimi i 20 shkurtit përfundoi me të njëjtin skenar, me shpërthimin e molotovëve dhe fishekzjarrëve. Pas tubimit para Kryeministrisë, kaosi shpërtheu edhe para Parlamentit, aty ku protestuesit u zhvendosën pas përfundimit të protestës në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Kujtojmë se Policia nuk e kishte aprovuar zhvillimin e protestës për shkak të dhunës së ushtruar më parë më 10 shkurt./ZËRI



