S’ka dakortësi pë Avokatin e Popullit! PS refuzoi, PD tërheq firmat për kandidatët: Presim Peleshin


S'ka dakortësi pë Avokatin e Popullit! PS refuzoi, PD tërheq

FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Partia Demokratike ka tërhequr firmat e deputetëve të saj si dhe mbështetjen për kandidaturat për postin e Avokatit të Popullit. Nëse një ditë më parë, PD dhe PS arritën një konsensus, sot situata ndryshoi sërish. Por çfarë ndodhi?

Partia Socialiste deklaroi se nuk do të dilte me një emër kandidati dhe se do të pranonin e mbështesnin kandidaturat e opozitës, ndërsa këta të fundit propozuan mënjëherë formulën për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Sipas formulës së PD-së, demokratët si pakicë do të zgjedhin 6 emra, ndërsa Partia Socialiste do të zgjedhë 3 prej tyre. Më pas, opozita do të çojë për votim në seancë vetëm njërin prej tyre. 

Aranita Brahaj, Jola Hysaj, Besim Ndregjoni, Adriana Kalaja, Tartar Bazaj, Skënder Haluca dhe Endrit Shabani ishin 7 kandiatët që kaluan provën e parafundit të mbledhjes së firmave. Pas negociatave mes PS-PD, mësohet se demokratët i kanë tërhequr firmat e tyre për mbështetjen ndaj Endri Shabani. Por Partia Demokratike ka tërhequr sot firmat për të gjithë kandidatët për Avokatin e Popullit duke theksuar se mbeten ende në pritje të përgjigjes së Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Sipas tyre, nënshkrimet e deputetëve të opozitës janë dhënë përpara kualifikimit të kandidatëve nga Komisioni i Ligjeve dhe pas vendimit të Komisionit deputetët e opozitës kanë tërhequr të gjitha nënshkrimet e dhëna paraprakisht, dhe kanë propozuar ndërtimin e një procesi transparent përzgjedhje mazhorancë-opozitë.

“Për shkak të interesit të mediave mbi kandidatët për Avokat Populli, ju sqarojmë se: Nënshkrimet e deputetëve të opozitës janë dhënë përpara kualifikimit të kandidatëve nga Komisioni i Ligjeve, pavarësisht se kur kandidatët vetë i kanë depozituar në Kuvend dhe një pjesë prej tyre i kanë përdorur në kundërshtim me ligjin si propozim për votim (gjë që nuk është e vërtetë) në kuptim të nenit 9 të ligjit për Avokatin e Popullit. Pas vendimit të Komisionit të Ligjeve, që i është njoftuar zyrtarisht grupeve parlamentare, që “1 deputet mbështet vetëm 1 kandidat sipas ligjit”, deputetët e opozitës kanë tërhequr të gjitha nënshkrimet e dhëna paraprakisht, dhe kanë propozuar ndërtimin e një procesi transparent përzgjedhje mazhorancë-opozitë. Mbetemi në pritje të përgjigjes institucionale të Kryetarit të Kuvendit për të proceduar më tej. Tërheqja e nënshkrimeve depozitohet zyrtarisht në Kuvend”, shkruan PD.

Situata mbetet e paqartë se si do të veprohet, ndërsa në seancën plenare, 11 dhjetor, pritet të kalojë e gjithë lista e kandidatëve që ka marrë më shumë se 28 vota dhe jo vetëm 1 siç parashikohet në formularin e PD-së./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top