TIRANË- Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, pas mbledhjes së qeverisë deklaroi se po kontrollohet në mënyrë të vazhdueshme tregu i hidrokarbureve dhe se Bordi i Transparencës, që cakton çmimet tavan, mund të ngrihet shumë shpejt pasi mjafton vetëm një VKM. Çmimi i naftës ka arritur në 217 lekë/ litri, një rritje me gati 15 lekë për 24 orë që erdhi pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama për rikthimin e Bordit. Karakaçi tha se nga informacionet që kanë dhe nga kontrolli i tregut, rezulton se nuk ka mungesë të lëndës djegëse, duket shtuar se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nuk i prek furnizuesit shqiptarë.
“Po e shohim dinamikën. Shihet a ka mungesë të produktit në treg, të gjitha informacionit që kemi, ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem furnizimi për grupet e furnizuesve shqiptarë. Mbi 90% e furnizimit vjen nga rrugë të tjera detare. Mekanizmi është aty, mund të ngrihet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Kemi vlerësuar se me mesazhet përmes grupit të interesit, ta kuptojnë vetë rëndësinë. Është aty, mund të ngrihet shumë shpejt, por ende nuk është vendosur”, tha Karakaçi.
Karakaçi foli edhe për uljen e taksës së qarkullimit, duke theksuar se kjo taksë nuk do të rishikohet.
“Taksa e qarkullimit për t’u ulur 45 lekë, nënkupton që të jetë 45 lekë. Nuk është aq lekë. Ne kemi ndjekur model tjetër. Taksa e qarkullimit është në të gjithë vendet e BE, disa e vende e marrin në pikat e karburantit disa në pagesat e taksave të mjeteve. Ne kemi gjykuar dhe vlerësuar se marrja e taksës së qarkullimit me pikën e karburantit, është mjeti më i mirë se paguajnë më shumë taksë ata që përdorin më shumë makinën. Jemi duke ndjekur në mënyrë dinamike tregun e karburanteve, çfarë po ndodh edhe në rajon, ka modele të ndryshme, s’kemi vendimmarrje për Bordin. Ky bord, është aty dhe mund të krijohet me një vendim të Këshillit të Ministrave”, shtoi ai./ZËRI



