Kombëtarja shqiptare do të lua jë dy ndeshjet e fundit kualifikuese për në Botëror, ku në datën 13 nëntor do të përballet në transfertë me Andorrën dhe vetëm 3 ditë më vonë, do të presë në “Air Albania” skuadrën e Anglisë.

Kuqezinjtë kanë shansin më të mirë në histori për të shkuar për herë të parë në “Play Off” të Kupës së Botës, teksa ndaj Andorrës mund të vendosen përfundimisht fatet e rrugëtimit tonë, gjithmonë duke u lidhur edhe me ndeshjen Angli-Serbi.
SKENARI- Shqipëria duhet të fitojë në Andorra dhe nga ana tjetër, Anglia duhet të fitojë ndaj Serbisë, në mënyrë që kuqezinjtë të blindojnë matematikisht vendin e dytë dhe në sfidën ndaj Anglisë në “Air Albania”, do të ishte festë pavarësisht rezultatit. Padyshim që për kuqezinjtë do të ishte një arritje e madhe, pas dy kualifikimeve në Europian.
AXHENDA- Trajneri Silvinjo do të bëjë publike listën e lojtarëve në javën e parë të muajit nëntor. Në datën 7 ose 8 nëntor, do të publikohen lista e futbollistëve, teksa grumbullimi do të nisë të dielën e datës 9 nëntor. Kuqezinjtë do të grumbullohen në Barcelonë, për shkak të distancës së afërt mes qytetit katalanas dhe Andorrës.
BILETAT- Prej ditësh, ka nisur shitja e biletave për ndeshjen ndaj Anglisë, e cila ashtu si ndaj Serbisë, është me aplikim dhe më pas sistemi do të bëjë një përzgjedhje automatike të tifozëve. Burime zyrtare pranë FSHF-së, konfirmojnë se deri në këtë moment janë bërë mbi 100 mijë aplikime, teksa stadiumi “Air Albania” e ka kapacitetin prej 22 mijë vendesh.
Në datën 15, ka nisur procesi i aplikimit dhe tifozët kanë të drejtë të aplikojnë për 4 bileta maksimumi, ndërkohë që dy ditë pasi procesi ka nisur, tifozët kanë marrë emaile konfirmimi në rast se kanë përfituar nga e drejta për të blerë bileta. Sakaq, problemi më i madh, mbetet fakti se tifozët aplikojnë në vende të cilat kanë shumë kërkesa, kryesisht ballore ose qendrore, teksa pjesët anësore kanë një kërkesë më të ulët.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL








