TIRANË-Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha në mbledhjen e Komisionit për Punët e Jashtme hodhi poshtë pretendimet për bllokim të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ministri ka theksuar se nuk ka e as ka pasur veto nga asnjë shtet anëtar. Hoxha u shpreh se progresi i Shqipërisë në negociata është theksuar në mënyrë të përsëritur, disa herë, nga Komisionerja Kos dhe Përfaqësuesja e Lartë Kallas.
Ferit Hoxha: Nuk ka pasur e nuk ka bllokim. Nuk ka pasur dhe nuk ka veto. Procesi i integrimit vazhdon normalisht. Komisionerja Kos disa herë ka theksuar se integrimi i vendit vijon. Ajo që është thelbësore është puna dhe rezultatet tona. Ne duhet të përmbushim reformat e duhet të bëjmë pjesën tonë me seriozitet. Ne duam ta çojmë Shqipërinë në Europë brenda vitit 2030. Një sërë ministrash të vendeve të BE-së kanë ardhur në Tiranë dhe kanë shprehur mbështetje për Shqipërinë në BE. Sot kemi një situatë gjeo-politike të ndryshme dhe kemi dhe vende, që janë skeptike ndaj Bashkimit Europian. Është vetë BE-ja që përballet me kundërshtime dhe duhet ta njohim këtë realitet të ri.



