TIRANË- Prej disa ditësh po qarkullon një ide: një qeveri teknike me në krye profesoreshën e teorisë politike, njësisht filozofen dhe autoren shqiptare me famë ndërkombëtare Lea Ypi. Shkak ka qenë një artikull i publikuar nga Pamflet, me titull: “A është rikthimi i Lea Ypit, një negociatë e Edi Ramës me ndërkombëtarët?”, duke shkruar kështu në një pjesë të këtij artikulli: “Edi Rama e ka promovuar Lea Ypin në nivele të larta ndërkombëtare, duke u dhuruar kopje të librit të saj, në gjuhët përkatëse, krerëve të shteteve që ka takuar. Ky është një sinjal i qartë, i lexuar më shumë politikisht sesa letrarisht. I gjithë ky operacion “rastisi” në një moment të veçantë politik, kur lobet brenda rrjetit Soros mbështetën Erion Veliajn si pasardhës të Edi Ramës. Në vitin 2024, gjatë vizitës së Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, kjo u bë e dukshme, kur Blinken takoi kryebashkiakun e Tiranës dhe i përcolli Edi Ramës mesazhin për të “hapur krahun”. Pikërisht atë ditë përfundoi në SPAK edhe letra e famshme anonime e Nesti Angonit, e cila më pas çoi në goditjen ndaj Erion Veliajt. Gjatë kësaj periudhe, konkretisht në vitin 2025, Lea Ypi pati një vit shumë të suksesshëm në lançimin e saj europian.”
Por çfarë deklaron ajo vetë? A e mendon angazhimin e drejtpërdrejtë në politikën shqiptare?
Lidhur me këto pretendime për emrin e saj, ZËRI tentoi t’i merrte një prononcim Ypit, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk kemi një përgjigje.
Gjithsesi, ajo ka folur për mediat lidhur me këtë diskutim. E ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Ypi tha se momentalisht është e përqendruar te librat dhe puna akademike, dhe se deri tani nuk e ka menduar veten si pjesë e politikës, por nuk e përjashton totalisht si mundësi.
“Mendoj që ne të gjithë jemi të angazhuar në politikë, në kuptimin e pushtetit. Pushteti merr forma të ndryshme dhe unë deri tani nuk kam interes ose ambicie të ushtroj pushtet në kuptimin e vendimmarrjes institucionale. Ka forma të tjera në të cilat njeriu mund të kontribuojë në shoqëri, dhe nuk është e thënë që dikush që është intelektual i mirë apo gazetar i zoti të jetë edhe politikan i mirë. Për momentin prioritetet e mia janë librat, shkrimi dhe angazhimi me lexuesit. Nuk dua as të hap, as të mbyll këtë mundësi”,- u shpreh Ypi.
Paralelisht, emri i Ypit u komentua edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët. Berisha e vlerësoi Ypin si shkrimtare të njohur, pa e përjashtuar plotësisht si kandidaturë, por theksoi se kryeministri i një qeverie teknike duhet të ketë mbështetjen e të gjitha palëve.
“I kam lexuar, por nuk mund të bëj një koment. Ajo është një shkrimtare e njohur me veprat e saj. Nuk kam dijeni për pretendimet e saj. Por qeveria teknike duhet të jetë një qeveri që besohet dhe mbështetet nga të gjitha palët”, -tha Berisha.
Sa i përket situatës politike në vend, Ypi shprehu shqetësime për mungesën e debatit ideologjik. Sipas saj, Shqipëria aktualisht nuk ka as të majtë, as të djathtë në kuptimin tradicional, dhe ideologjia dominante është ajo e integrimit në Bashkimin Europian.
“Integrimi europian e bën politikën më tepër teknokratike, sepse nuk diskutohen çështje themelore. Debati është për datat dhe kriteret për t’u futur në Europë, por nuk ka diskutim mbi atë çfarë është Europa. Kjo depolitizon politikën, pasi përgjigjet vijnë nga Bashkimi Europian dhe procesi i integrimit”, -u shpreh Ypi.
Ajo nuk la pa kritikuar as partinë në pushtet: “Partitë që qeverisin, si në Shqipëri, ashtu edhe në vende të tjera të Europës, shpesh janë të lidhura me tregjet ndërkombëtare financiare ose grupe oligarkike të brendshme. Nuk bëjnë politika të majta në kuptimin e rishpërndarjes së pasurisë apo fuqizimit të sindikatave, siç do të pritej nga e majta tradicionale socialdemokrate”– përfundoi Ypi.
Në një kohë kur emri i saj përflitet për kryeministre teknike, Lea Ypi duket e qartë: për momentin, prioritet mbeten librat dhe puna e saj akademike, ndërsa politika mbetet një mundësi e hapur për të ardhmen./ZËRI



