TIRANË- Kryeministri Edi Rama kometoi samitin e djeshëm BE-Ballkani Perëndimor, të zhvilluar në Bruksel. Në një komunikim në rrjete sociale, Rama deklaroi se samiti ishte inkurajues dhe i suksesshëm për Shqipërinë dhe Kosovën. Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria ndodhet në kushtet që s’ka qenë asnjëherë, që gëzon respekt dhe vlerësim maksimal në Bruksel. Rama shtoi se hapja e të gjithë kapitujve të negociatave u cilësua si një inkurajim i rëndësishëm për vendin.
Gjithashtu, Rama vlerësoi rolin e Presidentes Vjosa Osmani në zhbllokimin e fondeve të BE-së për Kosovën, duke theksuar se ka shkëlqyer në samit me fjalë bindëse dhe punë këmbëngulëse.
“Kemi përmbyllur mbrëmë një samit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, që ka qenë inkurajues dhe i suksesshëm për Shqipërinë dhe Kosovën. Presidentja Osmani ka shkëlqyer dhe, me fjalë bindëse dhe punë këmbëngulëse, ia ka dalë që të zhbllokojë fondet e bllokuara prej disa kohësh nga BE-ja.
Për Shqipërinë jemi në kushte që nuk kemi qenë ndonjëherë: të respektuar dhe të vlerësuar maksimalisht në tempullin e Europës në Bruksel, ku qëndrimi im ka qenë ai që dini. Qëndrimi im ka qenë troç, i drejtë dhe pa dorashka. Unë them atë që mendoj dhe bëj atë që thonë. Detyrat e shtëpisë i bëjmë në mënyrë korrekte, sepse duhet të jemi pjesë e BE-së. Në fjalën tonë e themi hapur, drejt në sy, dhe kjo na e ka rritur vlerën në këto tryeza. Hapja e të gjithë kapitujve është për ne inkurajim. Kam përsëritur tezën time se anëtarësimi ynë dhe i Ballkanit duhet përshpejtuar. E them pa modesti që ju kam nderuar”, përfundoi Rama.



