TIRANË– Seanca plenare e Kuvendit e zhvilluar ditën e djeshme u shoqërua me përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Një fjali e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, drejtuar Albana Vokshit tensionoi demokratët e pranishëm në seancën plenare. “0900, për ty Albana kam këtë numër”, ishte kjo fjali që drejtoi Balla deputetes së PD-së, duke përshkallëzuar më tej tensionet në sallë. Pas këtij episodi, ditën e sotme, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të PD-së, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Sipas socialistëve, gjatë seancës plenare të 5 marsit 2026, dy deputetët demokratë kanë penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, duke përdorur gjuhë të papërshtatshme dhe duke bllokuar foltoren e Kuvendit.
Kështu që, bazuar në këto pretendime dhe në pamjet filmike të seancës, PS ka kërkuar:
-Përjashtimin e Gazment Bardhit nga komisionet dhe seancat plenare për 10 ditë, për pengim të zhvillimit të seancës dhe përdorim të gjuhës fyese;
-Përjashtimin e Klevis Balliut për 30 ditë, duke argumentuar se ai ka shfaqur sjellje agresive dhe ka dëmtuar pajisjet e sallës së Kuvendit;
Kujtojmë se vetë Balla nga Kuvendi u shpreh se nuk kishte qëllim që ta fyente deputeten, duke shtuar se bëhet fjalë për një numër telefonik që në BE përdoret për të marrë informacion mbi Bashkimin Evropian./ZËRI



