TIRANË- Kreu i demokratëve, Sali Berisha, i cilësoi zgjedhjet e 9 nëntorit një ‘farsë elektorale’. Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha komentoi zgjedhjet, të cilat u fituan thellë nga Partia Socialiste. Sipas Berishës, edhe këto zgjedhjet treguan sërish se Shqipëria është në diktaturë totalitare.
“Falenderoj përzemërsisht kandidatët e pavarur për guximin e treguar dhe kjo faktoi se Shqipëria është në farsë elektorale, diktaturë totalitare dhe Shqipëria po njihet e tillë. Qytetarët dhe të gjithë e panë, ishte vetëm farsë elektorale. Ne nuk ishim në zgjedhje, në ishim në mbështetje të tyre, dhe ky nuk ishte bojkot nga ana jonë, jo. Ne bëmë thirrje për qytetarët që të votonin dhe mbështetëm kandidatët e pavarur”, tha Berisha mes të tjerash.
Berisha zbuloi dhe hapat që do të ndërmarrë në vijim opozita, ndërsa theksoi se demokratët nuk do të bojkotojnë mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe seancat plenare. Kryedemokrati u shpreh se demokratët do të bëjnë të gjitha përpjekjet e domosdoshme për rikthimin e parlamentit dhe funksionimin e tij mbi baza të Kushtetutës dhe ligjeve.
“Do të kthejmë Kuvendin në bazën e rregullores. Të gjitha format e domosdoshme për rikthimin e Parlamentit dhe funksionimin e tij mbi bazat e Kushtetutës. Vendimi është i prerë. Sot për sot parlamenti është një instrument opresiv ndaj qytetarëve shqiptarë, nuk shpreh më, nuk merret me të drejtat e qytetarëve shqiptarë, me interesat e tyre, dhe siç keni parë ju, pas 10 seancash është bllokuar debati në 9 seanca dhe është lejuar në vetëm në 1 seancë. Ndërkohë deputetët tanë kanë qenë në çdo mbledhje të Komisioneve parlamentare. Kanë shqyrtuar ligje dhe vendime me seriozitetin më të madh”, deklaroi Berisha./ZËRI




