TIRANË-Është mbajtur sot ceremonia hapëse e Samitit të Diasporës tek godina Teatrit të Operas dhe Baletit. Samiti i Diasporës këtë vit vjen me sloganin “Lartësojmë rrënjët tona”. Fjalën i pari e mbajti Presidenti Bajram Begaj, i cili ka dekoruar edhe disa personalitete të Diasporës shqiptare.
Konkretisht Gentian Toshkezi u dekorua nga Presidenti Begaj me ‘Urdhërin Suprem të Shqiponjës’; Futbollisti Lorik Cana u dekorua nga Presidenti Begaj me titullin ‘Kalorës në Urdhërin e Skënderbeut’; Klarita Gërxhani u dekorua nga Presidenti Begaj me ‘Urdhërin e Kalorësit Lisit Akademik’ dhe Shqiponj Telhaj po ashtu u dekorua nga Presidenti Begaj me ‘Urdhërin e Kalorësit Lisit Akademik’.
Presidenti Bajram Begaj, theksoi se shqiptaria nuk mbaron brenda kufijve të vendit tonë, por sipas tij, është një zemër që rreh kudo ku ka shqiptarë.
Bajram Begaj: Diaspora shqiptare është e pazëvendësueshme. Ajo duhet të jetë pjesë e mënyrës sesi mendojmë për shtetin dhe për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptaria nuk mbaron aty ku mbarojnë kufijtë tanë. Ajo është një zemër që rreh kudo ku ka një shqiptar. Kur flasim për diasporën sot, flasim për ndikim global. Shqiptarët janë aty, nga maja e IA, te institucionet ndërkombëtare, te auditorët e universiteteve më të mira, te arti e sporti.
Samiti IV i Diasporës Shqiptare, i cili do të zhvillohet deri më 15 prill. Në kuadër të Samitit, diskutimet do të përqëndrohen në çështje kyçe, duke nisur nga roli i diasporës në forcimin e demokracisë dhe përfaqësimit, ndikimi i saj në zhvillimin ekonomik dhe inovacion, si edhe kontributi në sektorë të rëndësishëm si shëndetësia, arsimi dhe kërkimi shkencor.
Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet angazhimit të diasporës në proceset zgjedhore dhe institucionale, si dhe rritjes së investimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave mes saj dhe Shqipërisë. Po ashtu, në fokus do të jetë edhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe faktorëve shqiptarë në rajon, me synim ndërtimin e një qasjeje të koordinuar ndaj diasporës./ZËRI



