Kryeministri në detyrë në Kosovë, Albin Kurti, ka publikuar në rrjetin e tij social Facebook, fjalimin që mbajti sot në samitin e 12-të të Procesit të Berlinit që zhvillohet në Londër.
Në fjalën e tij Kurti është ndalur të marrëdhëniet e tensionuara të Kosovës me Serbinë.
Kurti tha se gjatë pesë viteve të fundit, Kosova ka bërë përparimin më të shpejtë në treguesit demokratikë, ekonomikë dhe të sigurisë.
Sakaq ai theksoi se përparimi i Kosovës mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji verior (Serbia).
Kurti tha se sulmi terrorist në Banjskë, ku u vra oficeri Afrim Bunjaku, nuk mund të injorohet.
“Gjatë pesë viteve të fundit, Kosova ka bërë përparimin më të shpejtë në treguesit demokratikë, ekonomikë dhe të sigurisë. Kemi pasur një mesatare prej 6% rritje ekonomike dhe asnjëherë më pak se 4%. Para tre muajsh, Banka Botërore dhe FMN e hoqën Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prekura nga konfliktet, duke njohur kështu qëndrueshmërinë, stabilitetin dhe qeverisjen e mirë që kemi ndërtuar.
Megjithëkëto, përparimi ynë mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji ynë verior. Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, tha Kurti.
Fjala e plotë e Kurtit në samitin e 12-të të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër:
I dashur Kryeministër Starmer,
Faleminderit që na pritët në këtë shtëpi të madhe, ku kombet shpesh janë mbledhur për ta formësuar të ardhmen e tyre.
I dashur Kancelar Merz,
Të dashur kolegë dhe miq nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor,
Ne po takohemi në një kohë kur Evropa është kaq e begatë, por njëkohësisht kurrë më parë nuk është sulmuar kaq shumë.
Kërcënimi në rritje i autoritarizmit, si jashtë ashtu edhe brenda kontinentit tonë, është një sfidë që Evropa e njeh shumë mirë.
Teksa shënojmë 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe 75 vjetorin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, na kujtohet se paqja, liria dhe dinjiteti njerëzor nuk janë të garantuara – ato duhet të mbrohen dhe të rifreskohen vazhdimisht nga çdo brez.
Prandaj, na duhet një ndjenjë e fortë uniteti, mjaftueshëm e qëndrueshme për t’i përballuar si presionet e jashtme, ashtu edhe dyshimet e brendshme.
Një unitet i tillë duhet të shtrihet edhe në juglindje të kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor gjendet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por të gjitha vendet mbeten jashtë BE-së dhe gjysma jashtë traktateve të NATO-s. Kjo nuk është as e mençur dhe as solide. Për ta frenuar ndikimin rus apo kinez në Evropë, nuk duhet të lëmë asnjë vakum.
Kur Komisioni Evropian e ndali procesin e zgjerimit në vitin 2014, Berlini mori nismën duke krijuar formatin “Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor” përmes Procesit të Berlinit, me qëllim që rajoni ynë të mbahej afër BE-së. Sot, kur kemi luftë në Evropë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë. Ne kemi qëllime të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta, dhe nuk kemi alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO – këto duhen parë si pika të forta.
Gjatë pesë viteve të fundit, Kosova ka bërë përparimin më të shpejtë në treguesit demokratikë, ekonomikë dhe të sigurisë. Kemi pasur një mesatare prej 6% rritje ekonomike dhe asnjëherë më pak se 4%. Para tre muajsh, Banka Botërore dhe FMN e hoqën Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prekura nga konfliktet, duke njohur kështu qëndrueshmërinë, stabilitetin dhe qeverisjen e mirë që kemi ndërtuar.
Megjithëkëto, përparimi ynë mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji ynë verior. Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara.
Sa i përket zhvillimit ekonomik, Kosova mbështet Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër si korniza për zhvillim të qëndrueshëm. Por nevojitet më shumë financim për të mbyllur hendekun e konvergjencës në projektet kryesore infrastrukturore, përfshirë tranzicionin e gjelbër, si dhe për të ulur pabarazinë me më shumë solidaritet.
Që nga samiti i fundit, kemi nënshkruar një marrëveshje të re tregtare me vendet anëtare të EFTA-s, në janar të këtij viti gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, që përfshin mallra dhe shërbime, duke zgjeruar kështu tregjet tona. Në kryesimin tonë të parë të drejtpërdrejtë të CEFTA-s, e rikthyem funksionalitetin e saj duke zgjedhur një drejtor të ri, pas më shumë se dy vitesh bllokim.
Sa i përket migracionit, ne kemi dhënë zotim ndaj Mbretërisë së Bashkuar për të trajtuar shkaqet e paqëndrueshmërisë: forcimin e sigurisë kufitare, luftimin e krimit të organizuar, ndalimin e financave të paligjshme dhe ndihmën për menaxhimin e flukseve migratore. Ne kemi qenë seriozisht të angazhuar në luftimin e armëve të vogla dhe të lehta që shfrytëzohen nga aktorë jo-shtetërorë, por edhe si mjete destabilizimi nga aktorë shtetërorë keqdashës. Kosova nuk është burim migracioni, por vetëm një pikë tranziti me numra relativisht shumë të ulët.
Faleminderit.





![Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një rezolutë lidhur me polarizimin dhe represionin në Serbi, përmes së cilës mbështeti të drejtën e studentëve dhe qytetarëve për të drejtë paqësore. Kjo rezolutë po ashtu dënon ashpër valën e dhunës nga autoritetet, frikësimet dhe arrestimet e protestuesve. Në rezolutën “për polarizimin dhe rritjen e represionit në Serbi, një vit pas tragjedisë së Novi Sadit”, thuhet se udhëheqja serbe është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike në vend. Gjatë seancës plenare të mbajtur më 22 tetor, rezoluta u miratua me 457 vota për, 103 kundër dhe 72 abstenime. Përmes rezolutës gjithashtu dënohen veprimet e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet për organizimin e kampit me tenda në Parkun Pionier, si dhe përdorimi arbitrar dhe politikisht i motivuar i faljeve presidenciale për persona të ndjekur për dhunën ndaj studentëve protestues. Ndër të tjera, thuhet se eurodeputetët mbështesin dërgimin e një misioni ad hoc për verifikimin e fakteve në Serbi, me pjesëmarrjen e Parlamentit Evropian, dhe i bëhet thirrje Komisionit Evropian të ndërmarrë një nismë për sanksione që do të shënjestronin personat përgjegjës për shkelje të rënda të ligjit dhe të drejtave të njeriut në Serbi. Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, gjatë debatit të së martës, tha se Bashkimi Evropian pret që veprimet policore dhe sjellja gjatë protestave të jenë proporcionale dhe që të respektohen të drejtat themelore të njeriut. “Prioritet është që të hetohen të gjitha pretendimet për përdorim të tepruar të forcës”, u shpreh Kos. Ajo theksoi se Brukseli dënon çdo akt urrejtjeje, vandalizmi apo dhune gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet. “Ne presim që vendet kandidate për anëtarësim në BE t’i respektojnë të gjitha vlerat që janë themeli ynë – respektin për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, tha Kos. Ajo shtoi po ashtu se Serbia duhet të respektojë lirinë e tubimit, lirinë e medias dhe liritë akademike. Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi gjatë debatit se rezoluta nuk përbën sulm ndaj Serbisë. Ai vlerësoi gjithashtu se Evropa nuk e ka tradhtuar Serbinë, por se pushteti në Serbi i ka tradhtuar qytetarët e vet. “Tragjedia në Novi Sad tregon se korrupsioni nuk është një krim i zakonshëm — korrupsioni shkatërron institucionet dhe merr jetë njerëzish”, theksoi ai. “Kjo fatkeqësi pasqyron disa nga problemet kryesore strukturore në Serbi: përfshirjen jotransparente të aktorëve të huaj në projekt [për renovimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad], mungesën e kontrolleve që do të mundësonin përdorimin e objektit pasi standardet e sigurisë nuk janë respektuar, pengimin e hetimit dhe të pavarësisë së gjyqësorit pas tragjedisë, si dhe represionin ndaj qytetarëve që kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshim”, vlerësoi raportuesi për Serbinë. Për muaj të tërë, në Serbi po mbahen protesta të udhëhequra nga studentët, pasi nëntorin e vitit të kaluar, 16 persona vdiqën pas rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit. Protestuesit kërkojnë nga institucionet përgjegjësi politike dhe penale për këtë rast. Ata besojnë se ka pasur korrupsion në projektin e rindërtimit të stacionit. Ndërkohë i kanë rritur kërkesat, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.](https://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2025/10/Screenshot_1313-300x194.jpg)



