BERAT-Ish-deputeti Ervin Salianji nga një takim në Berat ka komentuar situatën brenda Partisë Demokratike, duke kërkuar reflektim dhe garë të ndershme për ta bërë partinë fituese. Salianji rikujtoi se në statut është parashikuar qartë se, nëse partia nuk arrin të jetë forcë fituese, kryetari duhet të dorëhiqet dhe t’i hapë rrugë një gare të re.
Ervin Salianji: Ka humbës që bëhen deputetë që nga viti 1996. Ndërkohë, ne kemi pasur edhe raste suksesi, madje edhe në zona tradicionalisht të majta, ku prej 20 vitesh PD nuk fiton, si Kruja dhe Fushë-Kruja. Por a kemi folur ndonjëherë për këto raste? Ne kemi sanksionuar në statut që, nëse partia nuk arrin të jetë forcë fituese, nuk ka justifikime: kryetari dorëhiqet dhe i hap rrugë një gare tjetër, për ta bërë PD-në fituese. Pse para tre muajsh isha hero, ndërsa sot, që them të vërteta dhe nuk bëhem pjesë e klubit të humbësve, qenkam problematik dhe takimet i organizon krimi? Demokratët duan garë dhe ndershmëri. Kushdo që e ka ndërtuar karrierën mbi punën dhe meritën e vet, kërkon garë të ndershme. Nuk më keqpërdor dot as Rama, as Berisha.
Kujtojmë se Salianji ka nisur takime nëpër Shqipëri së bashku me Ilir Alimehmeti dhe disa nga më të votuarit e Primareve. Lëvizja synon sipas Salianjit, që të bëjë një ringritje të Partisë Demokratike, por edhe një analizë për humbjen e njëpasnjëshme të zgjedhjeve./ZËRI



