TIRANË- Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, në një konferencë për shtyp këtë të premte, deklaroi se do të ketë rritje të re pagash për punonjësit e Policisë së Shtetit. Sipas asaj që bëri me dije ministrja, rreth 720 punonjës policie do të përfitojnë nga rritja e mëtejshme e pagave.
Bëhet fjalë për tre kategori të Forcave Policore: Forcat RENEA, Forcat kombëtare të sigurisë dhe forcat e posaçme operacionale.
“Këtë prezantim e mbyll me një lajm të mirë që ka të bëjë me faktin që në mbledhjen e radhës kemi propozuar një rritje të re pagash sa i përket punonjësve të policisë. Kemi propozuar një rritje të re pagash përsa i përket punonjësve të policisë së shtetit, janë rreh 720 punonjës të cilët do t përfitojnë një rritje të mëtejshme dhe është rritje që shpërblen të gjithë ata efektivë, që përballen dhe që janë në vijën e parë të rrezikshmërisë me të gjithë ata kryejnë vepra të rrezikshme.
Bëhet fjalë për 3 struktura RENEA forcat kombëtare të sigurisë dhe ato operacionale. Janë është një fond pagash që është parashikuar në vitin 2026. Me rritjen që këto kategori marrin tani, mjafton të them që një inspektor i thjeshtë kalon në një pagë 1600 euro, ndërsa për një drejtues në RENEA 2300 euro. Për forcat operacionale, grada inspektor 1200 dhe ajo komisar 1600 dhe 1700 euro. Është një politikë rritje page, e cila tregon me vepra mbështetjen që japin punonjësit e policisë së shtetit. Dhe nga ana tjetër është një rritje që mundëson ruajtjen e efektivëve më të mirë në këto trupa policore”, deklaroi Koçiu.



