TIRANË- Kryeministri Edi Rama njoftoi se akti normativ për uljen me 20% të akcizës për naftën hyn në fuqi menjëherë sapo çmimi i naftës të kalojë 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër. Ai shtoi se masa do të qëndrojë në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare.
Në podkastin “Flasim”, Rama e përshkroi këtë vendim si një reagim të matur, që mbron qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve nga abuzimet e distributorëve të karburanteve. Ai theksoi se Bordi i Transparencës do të monitorojë tregjet globale dhe do të sigurojë që çdo masë të reflektohet drejtë në tregun vendas.
“Këtë javë kemi miratuar edhe aktin normativ për uljen e akcizës së naftës, që aktivizohet në momentin kur çmimi i naftës, si pasojë e impaktit të luftës mbi tregjet ndërkombëtare, kalon limitin e 220 lekëve. Ulja e akcizës me 20% hyn menjëherë në fuqi kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër.
Këto pragje janë vendosur për të garantuar një ndërhyrje të drejtë dhe të balancuar, duke marrë parasysh zhvillimet e tregut, të cilat nuk janë nën kontrollin tonë. Ne kemi detyrimin t’i trajtojmë ato në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar stabilitetin e financave publike, në një kohë kur pasiguria në tregjet ndërkombëtare mbetet e lartë dhe dinamike.
Masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare, ndërsa Bordi i Transparencës do të jetë garant i çdo zhvillimi në tregjet globale, për të reflektuar drejt çdo ndryshimi në tregun vendas. Ky është një reagim i duhur dhe i matur, që garanton vendimmarrje të shpejta dhe mbron qytetarët nga abuzimet e distributorëve. Masat për të gjithë ata që do të shkelin çmimin e përcaktuar nga Bordi i Transparencës do të jenë drastike,” tha Rama.
Bordi i Transparencës vendosi rritjen e çmimeve të karburanteve me 3 prill duke vendosur që çmimi i naftës të shkojë në 224 lekë për litër. Vendimi i Bordit zbatohet në kuadër të aktit normativ të miratuar për uljen e akcizës së naftës. Sipas këtij akti, niveli i akcizës u ul me 20%, ndërsa bashkë me TVSH-në ka një ulje efektive prej 9.5 lekë/litër./ZËRI



