TIRANË- Në konferecën e fundvitit, kryeministri Edi Rama deklaroi se sektori i shëndetësisë do të zërë një vend të rëndësishëm në buxhetin e vitit të ardhshëm, duke nënvizuar se paga e mjekëve dhe e infermierëve do të rritet. Kreu i qeverisë deklaroi se një fond prej 16 milionë eurosh do të jetë në dispozicion për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.
Një transformim i QSUT-së parashikohet shtatorin e ardhshëm, sipas kryeministrit Rama. Ai tha se në QSUT nuk do të lejohen më parkimet, përveç atyre spitalore, dhe se për këtë do të ketë një godinë të posaçme për parkimin e automjeteve.
“Kemi vendosur një fond të posaçëm prej 15 milionë eurosh si fillim dhe kemi filluar punën për 2 gjëra, krijimin e institutit kombëtar të tumoreve dhe rrjetëzimin e sistemit të kimioterapisë në një sërë spitalesh të tjera për të ulur fluksin që ka spitali në Tiranë dhe për të rritur ndjeshëm kapacitetin e shërbimit. Ka vazhduar rritja e pagave të punonjësve të shëndetësisë dhe është marrë një vendim i ri për të filluar dhe njohjen e vjetërsisë në punë të mjekëve dhe infermierëve duke rritur dhe shpërblimet në bazë të viteve. Në tërësi parashikohet që pagat për mjekët të rritet më 135 euro të tjera në muaj. Janë hapur dhe janë në proces godina multifunksionale e parkimit në QSUT që do të mbyllet në shtatorin e ardhshëm dhe do të transformojë tërësish QSUT duke hequr të gjitha makinat nga territori i spitalit që do të behet një park i madh dhe i bukur që do të jetë një rritje e cilësisë së shërbimit për pacientët”, tha Rama.
/ZËRI



