TIRANË- Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka hedhur për votim kërkesën për interpelancë të deputetit Xhelal Mziu, me ministrin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Andis Salla. Me 74 votat e mazhorancës, u rrëzua kërkesa e deputetit Xhelal Mziu me ministrin e bujqësisë, Andis Salla për Fondet e IPARD.
Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, e konsideroi një vendim të pavend, ndërsa kërkoi që t’i jepet e drejta e interpelancës. Nga foltorja e kuvendit, Mziu kërkoi që t’i jepet e drejta për interpelancë, pasi prej javësh është kërkuar nga ai dhe një grup deputetësh.
“Unë dhe një grup deputetësh kishim kërkuar prej javësh një interpelancë me ministrin e Bujqësisë dhe në mënyrë të papritur ju zoti kryetar bëni anulimin e kësaj interpelance, për shkak se në një nga pikat kërkohet të diskutohet për fondet e IPARD-it, me pretendimin se ne futemi në kompetencën e SPAK-ut. Ju me pa të drejtë, meqenëse përmenden fondet e IPARD-it thoni se bie ndesh me SPAK. Është e paimagjinueshme. Parlamenti dhe SPAK-u janë dy institucione të ndryshme. Nëse SPAK heton individët për korrupsion, deputetët janë personat që marrin qeverinë në pyetje për problematikat e sektorit, siç është bujqësia. Është e padrejtë dhe dua të më jepet e drejta e interpelancës.”, tha Mziu.
Peleshi iu përgjigj duke thënë se pas shqyrtimit të përmbajtjes së kërkesës, është kthyer përgjigje se ajo është refuzuar, pasi nuk plotësonte kushtet ligjore për t’u pranuar. Kjo sepse çështja po hetohet nga SPAK.
“Do të cënonte parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Në këto rrethana kërkesa nuk mund të pranohet.”, tha Peleshi.



