“Rifreksimi” i qeverisë i la jashtë kabinetit/ Reagojnë Vengu dhe Spiropali: Privilegj! Përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim


"Rifreksimi" i qeverisë i la jashtë kabinetit/ Reagojnë

pirro vengu-elisa spiropali

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka lënë jashtë kabinetit qeverisës Elisa Spiropalin dhe Pirro Vengun, në kuadër të një riorganizimi të prezantuar ditën e djeshme pas mbledhjes maratonë të Grupit Parlamentar të PS-së. Elisa Spiropali, ish-Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, dhe Pirro Vengu, ish-Ministër i Mbrojtjes, nuk do të mbajnë asnjë post të ri ekzekutiv.

Një ditë pas ndryshimeve, ka ardhur edhe reagimi i tyre. 

Ministri në largim, Pirro Vengu mbajti një fjalim gjatë ceremonisë së dorëzimit të sistemeve raketore Javelin në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr. Në fjalën e tij, Vengu tha se ishte privilegj që të mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes vetëm një ditë pasi kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga ky post.

“Është kënaqësi në këtë moment tranzitimi të detyrës time të linim këtë shenjë sot së bashku me partnerët tanë. Sot dorëzojmë në forcën tokësore sistemin JAVELIN, në tërësinë e këtij komponenti të porositur prej vitesh dhe pjesë e një bashkëpunimi të ngushtë me SHBA-të. Ky nuk është vetëm një simbol force, por është edhe një mesazh qartësie strategjike.  Shpesh herë më bëjnë pyetje pse vendet, sapo t’i jepet mundësia shpenzojnë kaq pak në mbrojtje. Kur përpiqem ta logjikoj përgjigjen, e vetmja gjë që më vjen ndërmend është të them që siguria është e padukshme kur funksionon. Paqja krijon iluzionin se është një gjendje natyrore dhe investimi në mbrojtje shpeshherë nuk prodhon duartrokitje të menjëhershme, por në fakt shmang kriza që askush nuk do t’i përjetojë”, tha Pirro Vengu.

Elisa Spiropali gjithashtu ka reaguar publikisht në rrjetet sociale, teksa shprehet se dje nuk ka përfunduar një detyrë, por një rrugëtim. Ajo nënvizon se politika është një territor ku koha kalon shpejt, por kujtesa mbetet, dhe se ajo që mbetet nuk është posti që ke mbajtur, por mënyra se si e ke ushtruar atë dhe përgjegjësia që i ke dhënë detyrës.

“Në fund ajo që mbetet nuk është posti që ke mbajtur, por mënyra se si e ke mbajtur atë dhe çfarë peshe i ke dhënë fjalës dhe qëndrimit tend”, theksoi Spiropali.

Postimi i Elisa Spiropalit:

Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim. Në jetën publike funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen.

Politika është një territor ku koha lëviz shpejt, por kujtesa lëviz ngadalë. Në fund ajo që mbetet nuk është posti që ke mbajtur, por mënyra se si e ke mbajtur atë dhe çfarë peshe i ke dhënë fjalës dhe qëndrimit tënd.

Shërbimi ndaj Shqipërisë për mua ka qenë dhe është i lidhur pazgjidhshmërisht me dashurinë për Shqipërinë, zgjedhje e vetëdijshme dhe jo aksident karriere, një akt besimi se vendi ynë mund dhe duhet të qëndrojë në anën e duhur të historisë, ashtu siç në momentet kyçe të saj Shqipëria ka ditur të zgjedhë orientimin perëndimor, edhe kur kjo zgjedhje ka qenë e vështirë. Nga koha kur rilindasit kërkonin dritë në Europë, te vendimi historik për anëtarësimin në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Europian, projekti ynë kombëtar ka qenë gjithmonë projekt për t’u bërë pjesë e qytetërimit politik që ndërtoi shtetin e së drejtës, dinjitetin institucional dhe njerëzor.

Në këtë kuptim, detyra ime si Ministre e Jashtme nuk ishte thjesht funksion, por vazhdim i një narrative historike që e sheh Shqipërinë si pjesë të pandashme të Perëndimit politik.

I jam mirënjohëse Partisë Socialiste dhe Kryeministrit për besimin e dhënë ndër vite, sepse mirënjohja është kulturë politike dhe jo nënshtrim personal.

Ne kemi ndërtuar së bashku një model që e ka zhvendosur Shqipërinë nga psikologjia e tranzicionit drejt normalitetit europian, duke zgjedhur reforma kur ishte më e lehtë të zgjidhej kompromisi me mediokritetin dhe duke zgjedhur përgjegjësinë kur populizmi ofronte duartrokitje të shpejta. Ky model nuk është i përsosur, por është i qartë në orientim dhe i vendosur në qëllim.

Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se politika nuk është zotërim apo pronësim, por kujdestari e përkohshme. Institucionet janë më të mëdha se individët, por janë individët ata që u japin atyre frymë, ton dhe karakter. Në çdo funksion që më është besuar, si deputete, kryetare Kuvendi e ministre, kam zgjedhur të jem zë me bindje dhe jo jehonë pa peshë, sepse dinjiteti i shtetit mbrohet jo vetëm me marrëveshje e dokumente, por me qëndrimin që mban kur përfaqëson flamurin tënd përballë të tjerëve. Në Europën politike, nga De Gasperi te Schuman, modeli që mbeti ishte ai i burrështetasit që ndërton mbi parime dhe jo mbi kalkulime afatshkurtra, dhe ky mbetet edhe për mua standardi ideal i shërbimit publik.

Vendimet politike janë pjesë e një vizioni më të gjerë dhe si të tilla respektohen, por historia personale e secilit prej nesh nuk matet me kohëzgjatjen e një mandati, as me fuqinë e përkohshme politike, por me gjurmën që lë në kulturën politike dhe morale të vendit. Në histori, figurat që mbeten nuk janë ato që mbajnë më gjatë pushtetin, por ato që nuk relativizojnë kurrë karakterin, sepse dinjiteti nuk është dekoratë ceremoniale, por qëndrueshmëri përballë kohës dhe aftësi për të mos u frikësuar as nga e kaluara, as nga e ardhmja.

Socialistëve u detyrohem gjithmonë besnikëri ndaj idealeve dhe jo ndaj komoditetit, sepse e majta europiane që kemi synuar të ndërtojmë në Shqipëri nuk është retorikë, por përpjekje për drejtësi sociale, shtet funksional dhe integrim të pakthyeshëm në Bashkimin Europian. Këto janë busulla që nuk ndryshojnë me rrethanat dhe nuk zbehen me rotacionin e detyrave.

Forca e një projekti politik matet nga aftësia për të prodhuar modele që qëndrojnë edhe kur rrethanat ndryshojnë, sepse modelet nuk rrëzohen me dekrete, ato provohen me kohën.

Shqipëria është më e rëndësishme se çdo rol dhe Partia është më e rëndësishme se çdo individ, por dinjiteti personal mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet çdo shërbim publik i ndershëm dhe i qëndrueshëm. Në këtë kuptim, për mua përfundimi i një detyre nuk është tërheqje, por vazhdim i angazhimit me të njëjtën bindje dhe të njëjtën përgjegjësi.

Mesazhet tuaja më të shumta në largim, se në marrjen e detyrës, ma përforcojnë detyrimin dhe vendosmërinë për të dhënë më shumë.

Sepse pozicionet janë kalimtare, ndërsa gjurma është zgjedhje e vetëdijshme

Pas një mbledhjeje të gjatë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, prej rreth 9 orësh, Rama prezantoi një riorganizim të kabinetit qeveritar që prek disa prej dikastereve më kyçe të qeverisë.

Largimet dhe zëvendësimet:

Ikën Belinda Balluku- zëvendësohet nga Albana Koçiu

Besfort Lamallari-Minister i Brendshëm- zëvendeson Albana Koçiun

Toni Gogu- Ministër Drejtësie- zëvendëson Besfort Lamallarin

Ferit Hoxha- Minister i Jashtem- ikën Elisa Spiropali

Enea Karakafi- Ministër Infrastrukture dhe Energjitike- zevendëson Belinda Ballukun

Ermal Nufi – Ministër i Mbrojtjes– ikën Pirro Vengu

Eriona Ismaili- Ministër për Marrëdheniet me Parlamentin – Zëvendeson Toni Gogun/ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top