KURBIN- Gjatë bisedimeve me demokratët në Kurbin, Berisha është pyetur për reformën territoriale. Teksa po shpjegonte rëndësinë e kësaj reforme, kreu i opozitës është ndalur tek kundërshtari i tij, Edi Rama.
Ai ju kujtoi të pranishmëve momentin kur Kryeministri u filmua rrugëve të Romës, teksa fliste në telefon. Sipas Berishës, ai po komunikonte me Damian Gjinkurin lidhur me reformën territoriale, teksa e ka krahasuar Ramën me një personazh të quajtur Saçi, gjatë kohës së regjimit komunist në vend, kur Berisha ishte ende në gjimnaz.
“Reforma territoriale është shumë e rëndësishme. Por duhet të jem i hapur me ju. Kush nga ju ka pasur rastin ta dëgjojë se si bënte rrugëve të Romës si një Saçi? Gjatë diktaturës në Tiranë, kur kam ardhur nga Tropoja, unë në shkollë të mesme ishte një Saçi që fliste me vete dhe i largoheshim. I largoheshim se bënte rrugës. A e patë ju se si bënte rrugëve të Romës atë? Bërtiste rrugëve të Romës në telefon. Kujt i bërtiste? Damian Gjiknurit për reformën territoriale. Habiti kalimtarët, habiti shitësit dhe humbi komplet. Pse po e them këtë histori? Sepse rrëzimi i tij dhe bërja e reformës janë e vetmja gjë reale.”- tha Berisha.



