Situata e pasigurt e Çabi Alonsos në drejtimin e Real Madrid, ka bërë që drejtuesit e “Los blancos” të marrin në konsideratë opsione të ndryshme për pankinën e klubit në rast largimi të ish-mesfushorit nga pankina. Dhe një nga emrat që ka tërhequr gjithmonë Florentino Perez, është ai i Jurgen Klop.
Gjermani ka lënë drejtimin në pankinë që nga vera e vitit 2024 dhe në fillimin e këtij viti nisi punë si përgjegjës i departamentit të futbollit të kompanisë Red Bull, duke mbikëqyrur të gjitha skuadrat që ajo zotëron. Edhe pse ai ka hedhur poshtë zërat se po mendon kthimin në pankinë, kohët e fundit emri i tij është përmendur vazhdimisht në Madrid. Por Perez do ta ketë të vështirë gjithsesi të sigurojë një firmë nga trajneri, sipas asaj që deklaron Oliver Mintzlaf, shefi ekzekutiv i RB Lajpcig dhe një prej personave në kontakt të vazhdueshëm me Klop.
“Ai ishte një goditje e madhe e jona pasi firmosëm me të pa bërë asnjë lloj shpenzimi për ta blerë. Jurgen Klop ndjehet si në shtëpi me ne dhe ka mësuar shumë gjëra të reja këtu. Nuk ka asnjë klauzolë largimi dhe përkushtimi tij ndaj nesh është mëse i dukshëm”, ishin fjalët e drejtuesit gjerman, duke bërë të qartë se për Realin do të ishte vështirë të shkëpuste Klop nga detyra që mbulon aktualisht.
PANORAMASPORT.AL









