TIRANË-Sipas vlerësimeve të ‘Freedom House’, që analizon gjendjen e të drejtave dhe lirive në 195 shtete dhe 13 territore, situata në Shqipëri dhe Kosovë mbetet e pandryshuar dhe të dyja vendet vazhdojnë të cilësohen si “pjesërisht të lira”, klasifikim që kjo organizatë përdor për shtetet ku zhvillohen procese elektorale, por ku të drejtat e plota politike dhe liritë qytetare mbesin të kufizuara. Të dyja vendet kanë shënuar rritje me nga një pikë krahasuar me vitin e kaluar.
Në raport thuhet se Shqipëria ka një rekord zgjedhjesh konkurruese, megjithëse partitë politike janë shumë të polarizuara dhe shpesh të organizuara rreth personaliteteve kryesore. Liria fetare dhe liria e tubimit në përgjithësi respektohen. Korrupsioni dhe ryshfeti mbeten probleme të mëdha, megjithëse qeveria po punon për të adresuar korrupsionin në gjyqësor.

Ndërkohë në raportin e publikuar më 19 mars thuhet se në Kosovë “gjykatat kanë nxjerrë vendime që dëshmojnë pavarësinë e tyre, megjithëse janë përballur me trysni të madhe politike”. Kosova ka shënuar një përmirësim të vogël në Raportin e vitit 2026 për Lirinë në Botë, duke u vlerësuar me 61 pikë nga 100, një më shumë se një vit më parë.
Sipas raportit, kriza politike dhe institucionale që goditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, kur vendi u qeveris pothuajse tërë kohën nga një qeveri në detyrë, ka ndikuar në përparimin e vendit në gjyqësor.

“Në Kosovë, për shembull, ligjvënësit e sapozgjedhur nuk arritën të formonin një qeveri për pjesën më të madhe të vitit, ndërsa qeveria në detyrë thuhet se e tejkaloi mandatin e saj teknik, duke rezultuar në zgjedhje të parakohshme; kjo bllokadë i zbehu përparimet e vendit në pavarësinë gjyqësore dhe sigurinë fizike”, thuhet në raport.





