TIRANË-Parlamenti i Shqipërisë organizoi konferencën “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”. Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama ka theksuar se për Shqipërinë, e cila doli nga një diktaturë e egër, roli i Komisionit të Venecias ka qenë vendimtar në ndërtimin e një shteti të drejtë dhe të qëndrueshëm. Rama vlerësoi rëndësinë e rolit të Komisionit në reformat e mëdha që ka ndërmarrë vendi, sidomos në drejtësi dhe në sistemin zgjedhor. Sipas tij, pa kontributin e këtij komisioni do të kishte qenë e pamundur vettingu.
Edi Rama: Sot Komisioni i Venecias ka në bilancin e vet edhe kontributin e paçmuar për Kushtetutën e parë të shtetit demokratik shqiptar, asaj të vitit 1998. Dhe po ashtu, ka në bilancin e vet edhe një sërë ndërhyrjesh të rëndësishme në procese ku mendimi i Komisionit ka luajtur rol vendimtar për kahjen e procesit. Ka në bilanc dy kontribute kyçe për historinë e re ende e zhvillimeve demokratike në Shqipëri, kontributet për Kodin Zgjedhor, të cilat kanë mbështetur thelbësisht përmirësimin e këtij Kodi dhe kanë forcuar garancinë e standarteve demokratike dhe nga ana tjetër kontributin historik për reformën më të thellë dhe të vështirë që ka bërë Shqipëria, reformën në drejtësi, ku komisioni ka qenë bashkëudhëtar i pandarë, udhërrëfyes si gjithmonë i matur dhe autoritet që na ka ndihmuar të ruajmë busullën dhe të orientohemi në drejtimin e duhur. Pa Komisionin e Venecias dhe kontributin e tij do të kishte qenë e pamundur që Shqipëria të ndërmerret procesin e vettingut, ky për reformën në drejtësi, dhe që e them me plot gojën sot nuk është kryer me të njëjtën thellësi në asnjë vend që ngjashëm është përpjekur ta kryejë dhe një proces që deri në momentin e opinionit të Komisionit të Venecias kishte jo pak kundërshti edhe në rrethet profesionale ndërkombëtare. Komisioni i Venecias ndër të tjera ka fituar edhe fuqinë për t’u imponuar në të gjitha instancat dhe respektuar nga të gjitha instancat. Dhe jam dëshmitar i faktit se opinionet e Venecias respektohen në çdo nivel ndërkombëtar të lidhur me çështje të shtetit të së drejtës dhe proceset e reformave apo maave që lidhen me shtetin e së drejtës.
Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj theksoi se Komisioni i Venecias ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe mbështetjen e sistemit kushtetues, por theksoi qartë kufijtë e këtij bashkëpunimi. Zaçaj tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të pakontestueshme dhe se kërkimi i një opinioni nga Komisioni i Venecias duhet të ndodhë paraprakisht dhe jo të përdoret si një mjet për të vënë në diskutim vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj: Komisioni i Venecias ka qenë një partner i çmuar për Gjykatën Kushtetuese. Partneriteti nuk është një marrëdhënie mësues nxënës, është dialog midis të barabartëve. Kur Gjykata Kushtetuese kërkon opinion nga Komisioni i Venecias nuk kërkon leje dhe nuk cedon sovranitet. Komisioni i Venecias ka qenë udhërrëfyes duke ndihmuar vendimmarrjen, edhe përmes standardeve dhe parimeve të elaboruara. Kodisis, baza e të dhënave të Komisionit të Venecias, nuk është thjeshtë një bibliotekë digjitale, është dëshmia se drejtësia kushtetuese flet një gjuhë universale. Megjithatë procesi konsultativ me Komisionin e Venecias nuk mund të përdoret për të shmangur vendimet e GJK që janë përfundimtare, dhe nuk mund të vihen në diskutim nga asnjë organ i shtetit., Kërkimi i një opinioni këshillimor duhet të ndodhë paraprakisht dhe jo të përdoret si mjet për të kontestuar një vendim të dhënë. Kjo është themelore për të respektuar ndarjen e pushteteve, Gjykata Kushtetuese nuk është dekorative, është arbitër i lojës demokratike. Kushtetuta nuk është pronë e politikave, është kontratë me qytetarin. Të drejtat dhe liritë themelore nuk mbrohen sepse njihen nga shteti, ata janë universale dhe duhet të respektohen nga të gjithë pa përjashtim.
Komisioni Europian për Demokracinë nëpërmjet Ligjit – i njohur më gjerësisht si Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës – është një organizatë ligjore e pavarur që e ka filluar veprimtarinë e saj me ndihmesën e dhënë për hartimin e kushtetutave të demokracive të reja në përputhje me kulturën kushtetuese europiane. Komisioni jep opinione ligjore për kushtetutat dhe ligjet. Ai harton opinione për Gjykatat Kushtetuese dhe Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e ka vënë disa herë në lëvizje Komisionin e Venecias dhe ka marrë prej tij opinione për çështje të rëndësishme që lidhen me kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve./ZËRI



