TIRANË- Drejtësia ka qenë në fokus të pyetjeve të gazetarëve drejtuar kryeministrit Edi Rama në konferecën e fundvitit. Teksa komentoi dhe renditi një sërë çështjet ku janë të përfshirë zyrtarët më të lartë politikë, Rama ironizoi kërkesën e gjyqtarëve për rritjen e pagave. Kreu i qeverisë u shpreh se rritja e pagave duhet të shoqërohet me zhvillim ekonomik dhe analizë të thellë.
“Këshilli i Europës thotë që në Shqipëri është shumë problem që nuk ka regjistrim të provave m,e video dhe audio. Nuk iu bën përshtypje ju, që gjyqtarët kërkojnë me gjykata që t’i rrisin rrogën vetes. Pse nuk e rrisni ju rrogës vetes me gjyq?! Sepse askush nga këta nuk ka bindjen se ka dorë edhe gurin edhe arrën, sepse të gjithë që rritja e pagave është ekskluzivitet i dy pushteteve të tjera. Si duan të rrisin pagat e vetes, kur kanë paga shumë herë më të larta se sa tonat.
Mua kjo më bën shumë përshtypje. Unë nuk mund të pres, që kjo të ndodhë, duhet ta parandalojmë. Nuk mundet që kura të bëhet më e rëndë se sa sëmundja. Siguria juridike rrezikohet, kur një vend ka më shumë të padënuar se sa të dënuar nëpër burgje. Pra, kjo është kura që bëhet më e rëndë se sëmundja. Janë dy momente kur kërcënohet shteti, nuk po flasim për stabilizim sepse me 83 mandate nuk bën destabilizim as dreqi këtu, flasim për dy aspekte ekonomia dhe administrata.
Që të rriten pagat duhet të rritet ekonomia. Na duhet një analizë, dhe po e bëjmë shumë të thellë në të gjitha anët. Nuk mund të hedhim beben bashkë me ujin e pijshëm, shyqyr beben e kemi shëndoshë e mirë dhe do e ndihmojmë që të rritet, drejtësia. Sistemi që ne kemi ngritur është një sistem që vetëqeveriset”, tha Rama./ZËRI



