Rama për çështjen Balluku: Nuk është pezullim, por nënshtrim i ekzekutivit, nuk po ushtrojmë presion ndaj Kushtetueses


Rama për çështjen Balluku: Nuk është pezullim, por

Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me vendimin për pezullimin e Belinda Ballukut, duke theksuar se kërkesa e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese nuk synon të ushtruar presion politik, por të mbrojë balancën mes pushteteve.

Në podcastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se qeveria ka ndërmarrë këtë hap për të mos lejuar që kompetencat e ekzekutivit të cenohen nga vendime të një gjyqtari apo prokurori. Sipas kryeministrit, situata krijon një precedent të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve demokratike. Gjithashtu ai theksoi se nuk është thjesht pezullim por nënshtrim i ekzekutivit.

“Ankimimi në Gjykatës Kushtetuese nuk është betejë politike apo presion, por është një betejë institucionale, betejë themelore për mbrojtjen e kufijve mes pushteteve dhe mos marrjenn e kompetencave të Kryeministrit dhe qeverisë nga një gjykatës dhe një prokuror. Precedent kërcënues për demokracinë dhe krejt i panjohur në Europë dhe botën demokratike. Nuk është pezullim por nënshtrim i ekzekutivit që sjell pasoja pas pasojash”,- tha Rama.

Ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka shtyrë seancën ku do të shqyrtohet ankimimi i qeverisë për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si ministre dhe zëvendës kryeministre me vendim të GJKKO. Pasi treshja e gjyqtarëve, Sandër Beci (relatori), Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, nuk arriti të dilte më një vendim unanim, çështja kaloi në mbledhjen me tetë gjyqtarë të Kushtetueses, e cila do të zhvillohet më 12 dhjetor. Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, teksa argumenton se ky vendim sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH. Kushtetuesja është ajo që do të vendosë për ‘fatin’ e Ballukut, ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zëvendësimi i Ballukut në qeveri nuk do të ndodhë./ZËRI

 

Poll



Source link

Scroll to Top