Rama paralajmëroi ndërhyrje në ligj! Zbulohen ndryshimet e nenit, jo vetëm ministri-kush i shpëton pezullimit?


Rama paralajmëroi ndërhyrje në ligj! Zbulohen ndryshimet e nenit,

Edi Rama dhe Belinda Balluku

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ashtu si ZËRI paralajmëroi ndërhyrja ligjore do të kërkohet për nenin 242, paragrafi 2, të Kodit të Procedurës Penale, i cili u garanton imunitetin të zgjedhurve.

Neni 242 – Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik

Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.

Lidhur me këtë lëvizje, gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, nga burime brenda mazhorancës socialiste, mësoi detajet se si do të avancohet me këtë ndërhyrje ligjore. Ndryshimet ligjore e më konkretisht të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, kryeministri Rama duket se ia ka besuar ministrit të drejtësisë Besford Lamallari.

Por duket se nuk do të prekin vetëm ministrat por edhe zyrtarë të tjerë. Ndryshimet e pritshme të këtij neni parashikojnë moslejimin e pezullimit nga detyra të të gjithë funksionarëve, funksionet e të cilëve burojnë nga kushtetuta. Masa e pezullimit të shtrihet edhe tek anëtarët e qeverisë, Presidenti dhe funksionarë të tjerë të nivelit të lartë, duke zgjeruar kështu fushën e aplikimit të saj në raste të veçanta.

“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.

Mbetet e paqartë koha se kur ky ndryshim do të shkojë për diskutim dhe miratim në parlament. Kjo ndërhyrja u paralajmërua nga kryeministri lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin. Gjykata Kushtetuese nuk konsideroi faktin që një ministër ka imunitet njësoj si deputeti dhe nuk mund të pezullohet. Në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se ministri nuk hyn në kategorinë e personave të zgjedhur, siç janë deputetët dhe imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin. Pra, ministrat kanë imunitet si deputetët, por nuk i mbron nga pezullimi nga detyra nëse janë nën hetim. 

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro.  Ndërkohë, Balluku është vënë në hetim edhe për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro).

Nga ana tjetër SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut, duke e vendosur çështjen në qendër të debateve juridike dhe politike në vend.

Poll



Source link

Scroll to Top