TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, po zhvillon sot një takim me socialistët në njësinë 12 në kryeqytet.
Në fjalën e tij, ai u fokusua te “Punët e Shqipërisë” dhe hapat e saj në integrimin në Bashkimi Evropian. Ai theksoi se Shqipëria ka bërë hapa përpara, por kjo nuk është e mjaftueshme. Sipas Ramës, negociatat pritet të mbyllen në vitin 2027.
Kryeministri foli për disa arritje të qeverisë, si rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe rritja e ekonomisë shqiptare. Po ashtu, ai iu drejtua socialistëve duke theksuar se qeveria dhe socialistët janë vetëm në rrugën e integrimit evropian. Ai tha se çdokush që nuk është anëtar apo mbështetës i PS-së, shpesh ngatërron kundërshtitë politike me interesin kombëtar të Shqipërisë për anëtarësimin në familjen evropiane.
“Ne e kemi një detyrë më të madhe sesa thjesht ndaj vetes apo për veten. Kjo arsye madhore është mundësia historike që na ka ardhur në dorë. Janë krijuar kushtet që ta shohim derën e Evropës afër dhe të hapur plotësisht. Kemi bërë shumë nga ana jonë për të arritur këtu, por një gjë duhet ta kemi shumë të qartë: nuk mjafton. Ne mund të kemi bërë gjithçka dhe sërish nuk mjafton.
Sepse i vogli, vendi i vogël, populli i vogël, nuk e ka të mjaftueshme vetëm të bëjë më të mirën e vet; duhet që edhe të tjerët ta shohin me sy të mirë. Dhe janë bashkuar yjet e fatit, sepse për arsye që nuk lidhen vetëm me sa mirë kemi punuar ne, por edhe me mënyrën se si po shkon bota, Bashkimi Evropian dëshiron të na marrë brenda vetes. Kjo është e jashtëzakonshme.
Ky moment është konkret. Tani ne duhet të bëjmë deri në fund atë që kemi në dorë. Duhet të bëjmë maksimumin që dera e hapur të mbyllet vetëm pasi ne të kemi hyrë brenda. Ne vazhdojmë punën tonë dhe kemi detyrat sipas kalendarit të përcaktuar nga ata.
Por ajo që po ndodh sot është se të gjitha vendet e nivelit të dytë në BE shprehen se duan ta marrin Shqipërinë në BE dhe, në të gjitha rastet kur dokumentet kanë kaluar nga niveli i parë në të dytin, përgjigjja ka qenë pozitive. Prandaj ne kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave brenda 11 muajve – diçka që asnjë vend nuk e ka bërë më parë.
Megjithatë, ne duhet të kuptojmë se jemi vetëm në këtë betejë, sepse të gjithë të tjerët që nuk janë mbështetës të Partisë Socialiste janë kundër nesh dhe shpesh ngatërrojnë kundërshtinë ndaj nesh me interesin kombëtar dhe të mirën e përbashkët të vendit dhe të fëmijëve tanë. Prandaj është thelbësore që ta shfrytëzojmë këtë moment dhe të hyjmë në BE.
Ne e kemi vendosur Shqipërinë në një pozicion krejt tjetër nga ai që kishte më parë, kemi fituar respekt dhe besim dhe, në të njëjtën kohë, kemi rritur ekonominë,” – u shpreh Rama.



